IS pohon se ka ekzekutuar një amerikan

Shërbimet e zbulimit po përpiqen të vërtetojnë pohimet e militantëve të Shtetit islamik se i kanë prerë kokën punonjësit amerikan të ndihmave, Abdul-Rahman Kassig.

Ekstremistët e grupit Shteti Islamik thanë në një video të postuar sot në internet se i kanë prerë kokën punonjësit amerikan të ndihmave, Abdul-Rahman Kassig.

Zëdhënësja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Bernadette Meehan tha se shërbimet e zbulimit janë duke punuar që sa më shpejt të jetë e mundur të provojnë vërtetësinë e videos, që tregon një militant që qëndron prapa një koke të prerë që ai thotë se është e Kassigut.

Videoja nuk tregon aktin e prerjes së kokës. Ekstremisti flet në video me me një theks britanik.

Në të njëjtën video tregohet edhe prerja e kokës se 18 burrave sirianë që përshkruhen si pjesëtarë të personelit ushtarak sirian.

Ish pjesëtari i ushtrisë amerikane, 26 vjeçari Kassig, ishte marrë peng 13 muaj më parë, ndërsa po kryente punë humanitare në Sirinë e shkatërruar nga lufta. Familja e tij tha se ai u konvertua në Islam ndërsa mbahej rob dhe e ndryshoi emrin e tij të parë, Peter.

Paula Kassig, i tha së fundmi rrjetit NBC se ajo dhe burri i saj morën një audio regjistrim të djalit të tyre disa javë më parë, në të cilën ai shprehte frikën se koha e tij po përfundon.

Tre viktimat e mëhershme të ekzekutimit me prerje koke që janë shfaqur në video ngjethëse të lëshuara nga Shteti Islamik, ishin gazetari amerikan, James Foley, gazetari amerikano-izraelit, Steven Sotloff, dhe punëtori britanik i ndihmave, David Haines.

Para publikimit të videos, presidenti amerikan Barack Obama, duke folur të dielën në Australi në fund të samitit të G 20-tës, tha se kishte refuzuar çfarëdo aleance me udhëheqësin sirian Bashar al-Asad në luftën kundër grupit të Shtetit Islamik.

Presidenti Obama tha se krijimi i një “kauze të përbashkët" me zotin Assad kundër militantëve të Shtetit Islamik vetëm sa do të shtynte me shumë sunitë të Sirisë drejt grupit xhihadist dhe do të dobësonte koalicionin ndërkombëtarë që po lufton terroristët.