Një grup monitorues thotë se militantët islamikë kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të një kampi refugjatësh palestinezë në rrethinat e kryeqytetit të Sirisë, Damask. Zyrtarët e OKB-së thonë se krahas luftimeve në terren, forcat siriane e kanë bombarduar kampin me artileri duke izoluar kështu mijëra civilë, ndër ta edhe shumë fëmijë.
Organizata Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut thotë se luftëtarët e Shtetit Islamik dhe të Frontit al-Nusra, një degë e al-Kaidas në Siri, fituan kontrollin e 90% të kampit të refugjatëve në Yarmouk.
Zyrtarët e OKB-së thonë se krahas luftimeve në terren, forcat siriane e kanë bombarduar kampin me artileri duke izoluar kështu mijëra civilë, ndër ta edhe shumë fëmijë.
“Gra, fëmijë, dhe civilë të shumtë rrezikohen të vriten, gjymtohen, apo plagosen. Prandaj po u bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur civilët.”
Përveç sulmit në Yarmouk, Departamenti amerikan i Shtetit ka dënuar edhe sulme të tjera që kanë rrezikuar civilët sirianë, duke u shprehur se familje të pafajshme “vazhdojnë të vuajnë si nga regjimi i Assadit, ashtu edhe nga grupet e dhunshme ekstremiste”.