Obama, 205 milion dollarë ndihma të reja për Irakun

Presidenti Barack Obama premtoi 205 milion dollarë ndihma të reja humanitare për Irakun, por nuk përmendi publikisht dhënien e armëve shtesë dhe mbështetjen ushtarake të kërkuar nga kryeministri Haider al-Abadi.

Pas takimit të dy udhëheqësve në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se forcat irakiane po pajisen dhe stërviten më mirë që pas zgjedhjes së zotit Abadi shtatë muaj më parë dhe me mbështetjen e sulmeve ajrore amerikane kanë rimarrë gati një të katërtën e territorit të kontrolluar nga luftëtarët e Shtetit Islamik gjatë vitit të kaluar.

I pyetur rreth armëve shtesë të kërkuara nga Iraku, zoti Obama tha megjithatë se bashkëpunimi ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Irakut po përmirësohet për të siguruar se forcat e Bagdatit do të kenë sukses.

Presidenti Obama tha se ata diskutuan përfshirjen e Iranit në luftimet në Irak kundër militantëve të Shtetit Islamik. Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara presin që Iraku dhe Irani si vende fqinje, të kenë një marrëdhënie të rëndësishme, por se çdo operacion ushtarak brenda Irakut duhet të kontrollohet nga Bagdati.