KLD, verifikim pafajësisë së Arben Frrokut

Frroku akuzohej për vrasjen e Komisar Dritan Lamajt. Pas ankesës së Prokurorisë mbi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Këshilli I Lartë i Drejtësisë vlerëson se “ka vend për verifikimin e ankesës”

Në Shqipëri, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur të nisë verifikimet lidhur me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë të krimeve të Rënda e cila shpalli të dyshuarin Arben Frroku, të pafajshëm nga akuza e vrasjes së komisarit të policisë Dritan Lamaj

Prokuroria kishte kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Frrokun. Ajo ka bërë dhe ankim në gjykatën e Apelit kundër vendimit, ndërkohë që kishte kërkuar dhe angazhimin e inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, KLD I ka kthyer përgjigje pozitive kërkesës së saj, duke shpjeguar se “nga analiza e pretendimeve të parashtruara, ka vend për verifikimin e ankesës”.

Shpallja e pafajësisë për Arben Frrokun shkaktoi polemika të shumta në Shqipëri. Ai është vëllai i deputetit Mark Frroku, i cili nga ana e tij është arrestuar, pasi parlamenti miratoi dy kërkesa të paraqitura nga Prokuroria ndaj tij.

E para kishte të bënte me përfshirjen në cështjen Doshi, ku deputeti akuzohet për “deklarim të rremë”. Kërkesa e dytë lidhej me një urdhër ndalimi ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet belge pasi Mark Frroku dyshohet të jetë i përfshirë në një vrasje të ndodhur në vitin 1999 në Bruksel. Ndërkohë ndaj tij janë ngritur edhe akuza për "deklarim të rremë të pasurisë dhe pastrim parash”.