Azia Juglindore dhe çështja e refugjatëve

Qeveritë e Azisë Juglindore vazhdojnë të shprehin mungesë vullneti për të marrë në vendet e tyre imigrantët dhe refugjatët të braktisur nëpër anije, në det të hapur nga kontrabandistët. Kjo e ka përkeqësuar edhe më tej krizën e rëndë humanitare të imigrantëve aziatikë.

Aktivistët vlerësojnë se rreth 8 mijë të ashtuquajtur njerëz të barkave kanë mbetur në mëshirë të fatit, shumë prej tyre pa ujë dhe ushqim të mjaftueshëm, pas masave të marra nga Tajlanda për shkatërrimin e rrjetit të transportit të një grupit të madh trafikantësh.

Malajzia, Indonezia dhe Tailanda – tre vende ku përpiqen të shkojnë imigrantët, thonë se këto grupe njerëzish të dëshpëruar nuk janë përgjegjësia e tyre, duke hedhur poshtë thirrjet e Kombeve të Bashkuara dhe grupeve të të drejtave të njeriut.

Vetëm sot, më shumë se 700 imigrantë mbërritën në Indonezi, pasi u shpëtuan nga barkat e peshkimit, kur anija e tyre u fundos në brigjet e provincës Aceh.