Protestë kundër mbajtjes në paraburgim të Oliver Ivanoviç

Qindra qytetarë të komunitetit serb protestuan sot në Prishtinë e veri të Mitrovicës për të kërkuar mbrojtën në liri të politikanit lokal serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç. Organizatorët e protestës që u mblodhën para Gjykatës Themelore në Mitrovicën veriore dhe te zyrat e misionit të EULEX-it në Prishtinë thanë se me mbajtjen në paraburgim të zotit Ivanoviç, po bëhet padrejtësi ndaj popullit serb në Kosovë.

Politikani lokal serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, është futur në grevë urie në burgun e Mitrovicës, me kërkesën për tu mbrojtur në liri. Vendimi i tij vjen pasi ditë më parë trupi gjykues i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ja zgjati masën e paraburgimit edhe për dy muaj.

Ky vendim i gjykatës ka sjellë pakënaqësi te komuniteti serb në Kosovë dhe qeveria e Serbisë, të cilët kanë bërë thirrje për lirimin e zotit Ivanoviç dhe mbrojtjenn e tij në liri.

Kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiç, thotë se Oliver Ivanoviç po mbahet në paraburgim për shkak të përkatësisë së tij etnike.

“Ne kërkojmë që trupi gjykues sa më shpejt të marr vendimin e duhur për lirimin e të akuzuarve menjëherë, ose të paktën të lejojë që ata të mbrojnë veten në liri”, tha zoti Rakiç.

Ndërkohë, nënkryetarja e partisë së zotit Ivanoviç, Ksenija Bozoviç paralajmëroi vazhdimin e protestave në qoftë se nuk përmbushen kushtet për mbrojtje në liri.

“Kushtet tona janë të qarta, kërkojmë që menjëherë të lihen të lirë. Mjaft ishim të qetë, mjaft kemi treguar demokraci. Eulex-i dhe komuniteti ndërkombëtar nuk janë duke e kuptuar gjuhën demokratike”, tha ajo.

Oliver Ivanoviç, po mbahet në paraburgim që nga janari i vitit 2014 kur edhe u arrestua nën dyshimet për krime lufte kundër civilëve, të kryera në prill të vitit 1999 dhe nxitje të të tjerëve për kryerjen e veprave penale, vrasje apo lëndime të rënda trupore, të cilat janë kryer në shkurt të vitit 2000 në veriun e Mitrovicës, kur dhjetë shqiptarë kishin humbur jetën gjatë trazirave në atë zonë.

Oliver Ivanoviç, i cili është përfshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit 2013, ishe kandidat për postin e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës.