Fushata presidenciale në Amerikë

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë më shumë se 14 muaj larg por dy kandidatë të papritur po dominojnë fazën e hershme të fushatës paraprake, republikani Donald Trump dhe demokrati Bernie Sanders.

Donald Trump nuk hezituar ndonjëherë të shpallë ambiciet e tij. Pavarësisht analizave të ndryshme mbi paraqitjen e tij në debatin e parë republikan dhe shqetësimeve në lidhje me stilin e tij të drejtpërdrejtë, zoti Trump kryeson anketat dhe vazhdon të tërheqë turma entuziaste.

"Njerëzve në Lindjen e Mesme po u priten kokat sepse ata janë të krishterë. Njerëzit po vriten në kufijtë tanë. Bota po shpërthen ndërsa kandidatët e tjerë republikanë janë të shqetësuar në lidhje me tonin tim".

Zoti Trump po tërheq vëmendjen e konservatorëve të cilët janë të pakënaqur në lidhje me drejtimin që po merr vendi, dhe statusi i tij si një kandidat jashtë botës së politikës po e ndihmon atë të pëlqehet nga votuesit.

Rivali i tij republikan Jeb Bush është i shqetësuar nga retorika përçarëse e zotit Trump.

"Unë jam i pakënaqur, ashtu si ju, që sistemi nuk po funksionon dhe qeveria nuk po punon për ne. Por nuk ka asnjë arsye për t’u paralizuar nga zemërimi".

Rivalët e tjerë republikanë po shtojnë sulmet kundër zotit Trump, përfshirë senatorin nga Kentaki, Rand Paul, i cili ka publikuar një video ku kritikon zotin Trump.

Republikanët kanë 17 kandidatë dhe një rrugë të gjatë për zgjedhjen e njërit prej tyre, thotë analisti Josh Kraushaar.

"Jeb Bush është një nga kryesuesit e garës, dhe ai nuk pati një paraqitje të mirë në debatin e republikanëve. Kjo është një shenjë paralajmëruese se fushata zgjedhore e republikanëve është e hapur".

Edhe demokratët kanë kandidatin e tyre të papritur, senatorin nga Vermonti, Bernie Sanders.

Zoti Sanders po tërheq turma të mëdha dhe ka tërhequr vëmendjen e demokratëve liberalë në përpjekjen e tij të vështirë për të sfiduar kandidaten e preferuar demokrate, ish-sekretaren e Shtetit Hillari Clinton.

"Kur ne jemi të bashkuar, ne mund të krijojmë një Amerikë të re!"

Zoti Sanders ishte i pari në një sondazh të kohëve të fundit në Nju Hempshër ndërkohë që zonja Clinton po përballet me dyshimet mbi besueshmërinë e saj, që është intensifikuar nga debati mbi përdorimin e emailit privat në kohën kur ishte Sekretare e Shtetit.

Hillary Clinton, kandidate presidenciale

"Roli udhëheqës amerikan është i pazëvendësueshëm. Nuk ka alternativë ndaj tij”.

Problemet e zonjës Clinton po shfrytëzohen nga kandidatët republikanë, thotë analisti Josh Kraushaar.

"Ata mendojnë se Hillary Clinton është e pambrojtur, dhe skandali i emaileve është duke u dhënë atyre optimizëm në këtë front. Prandaj, ata mendojnë se ky është momenti i duhur për të hyrë në garën për president. Ata mendojnë se demokratët do të jenë të dobët në zgjedhjet e vitit 2016".

Duke patur parasysh problemet e zonjës Clinton, disa demokratë duan që nënpreidenti Joe Biden ose ish nënpresidenti Al Gore të hyjnë në garë. Por, deri më tani, asnjëri prej tyre nuk ka bërë komente publike mbi këtë çështje.