Strategjia kundër ISIS

Propaganda kundër ISIS duhet të ekspozojë gënjeshtra, thotë ligjvënësi

“Goditja e Shtetit Islamik dhe propagandistëve të tjerë të suksesshëm nuk mund të bëhet nëpërmjet përgjigjeve e kundër-përgjigjeve në Twiter sepse kjo vetëm vërteton mesazhet e tyre” – kështu u tha një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes ligjvënësve amerikanë të enjten.

Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes, Michael Lumpkin i tha një paneli të Komisionit të Shërbimeve të Armatosura se përpjekjet amerikane për t'iu kundërvënë propagandës armiqësore duhet të "vënë në dukje kontradiktat dhe gënjeshtrat për audienca të cilat shpesh kanë perceptime dhe norma kulturore të ndryshme nga tonat."

Përpjekjet amerikane për t'iu kundërvënë propagandës shtrihen në të gjitha agjencitë qeveritare, por udhëhiqen nga Departamenti i Shtetit. Departamenti i Mbrojtjes dhe Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve (BBG) luajnë role kyçe si mbështetës. Paneli i Dhomës së Përfaqësuesve dëgjoi dëshmi prej tyre të enjten.

Nënsekretari i Mbrojtjes, Lumpkin, citoi një vlerësim sipas të cilit vetëm një për qind e njerëzve në shënjestër nga mesazhet ka të ngjarë të mbështesë veprimet e ISIS, por për shkak se audienca e mundshme është 1.6 miliardë njerëz, 16 milionë vetë mund ta besojnë këtë propagandë.


Përveç kësaj, tha ai, teknologjia tani mundëson diskutim interaktiv në çdo kohë në thuajse çdo vend dhe çdo njeri. Ndërsa një botë shumë e ndërlidhur mund të ketë përfitime pozitive, rritja e Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera si ky "nxjerr në pah anën e errët".

"Nuk duket se ato që ne mund t’u themi atyre do të ketë shumë ndikim," tha përfaqësuesi republikan nga Arizona, Trent Franks, duke përmendur "vlerat të shenjta bazë" të anëtarëve të ISIS.

Por zoti Lumpkin citoi një studim nga kompania libaneze Quantum që i ndan anëtarët e ISIS në nëntë kategori - njerëz që kërkojnë “status, identitet, hakmarrje, zbavitje, përgjegjësi, emocion, ideologji, drejtësi dhe vdekje”. “Ashtu si programet tonë synojnë audienca të veçanta, ne duhet të kemi mesazhe të drejtuara edhe për këto nëntë kategori të ndryshme”, tha ai.

"Fuqizimi i audiencës”

Matthew Armstrong i BBG tha se qëllimi i agjencive në kuadër të BBG, e cila përfshin Zërin e Amerikës, është për të mbushur boshllëkun ndërmjet asaj që propagandistët thonë dhe asaj që ata bëjnë. Ai tha se propaganda përbëhet nga dy gënjeshtra; historike dhe të sotme, kështu gazetaria, raportimi i fakteve në terren, mund të sjellë ndryshimin. Me ISIS, tha ai, “ne përpiqemi për ta goditur atë, duke vënë në dukje kontradiktat e atyre që ata thonë krahasuar me realitetin. Ne i japim mundësi audiencës që ta njohë propagandën për atë që është”.


Zoti Armstrong veçoi Zërit të Amerikës (që): "Gjithmonë ka pasur si qëllim themelor fuqizimin e njerëzve me anë të qasjes në lajme dhe informacione, dhe si e tillë është thellësisht kundër propagandës."

Nënsekretari i Mbrojtjes, Lumpkin, përmendi dy sfida kryesore. Njëra është për të qëndruar në një hap me ritmin e shpejtë të zhvillimit të teknologjisë. Sfida tjetër është matja e suksesit. “Si është e mundur që ta dimë nëse përpjekjet kundër propagandës kanë dhënë rezultat? Kur diçka e keqe nuk ndodh, shpesh ne e dimë se kemi qenë të suksesshëm", tha Lumpkin, "kështu që ne jemi duke u përpjekur për të vërtetuar diçka që nuk ka ndodhur."


Të gjithë ata që dëshmuan para komisionit ishin dakord se problemi i tyre më i madh është pasiguria e buxhetit. Kundërshtimi i propagandës në mbarë botën është një propozim afatgjatë, dhe duke mos ditur se çfarë buxheti do të kenë nga viti në vit, e bën punët e tyre të vështirë edhe më të vështirë, thanë ata.


"Ndajmë shqetësimet tuaja", psherëtiu ligjvënësë Franks. “Buxheti i SHBA vazhdon me një rezolutë deri në dhjetor, dhe pas kësaj asnjë prej nesh nuk e di se çfarë do të ndodhë".