Të martën, 46 shkelës jo të dhunshëm të ligjit për drogën do të falenderojnë presidentin Barack Obama për lirimin e tyre. Ai do të shkurtojë dënimin e tyre si pjesë e përpjekjeve për të reformuar sistemin e drejtësisë kriminale në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Obama ka ndryshuar më shumë dënime me burg sesa çdo president tjetër që nga Lyndon Johnson në vitet 1960.
Your browser doesn’t support HTML5
Barbra Scrivner vazhdon të zgjohet në 5 të mëngjesit. Është kohë e qetë për të menduar çfarë ka dhe çfarë ka humbur. Këto ditë, ajo ndihmon të kujdeset për nipin – e përgatit për të shkuar në shkollë çdo ditë.
"Është si nata me ditën. Tani kam një jetë normale."
Scrivner bëri 21 vjet burg për konspiracion për drogën. Vajza dhe nipi i saj filluan ta njohin gjatë ditëve të vizitave. Ajo u lirua para kohe këtë vit pasi presidenti Obama i shkroi Scrivnerit këtë letë, ku ulte dënimin e saj.
"Kujto se ke aftësinë për të bërë zgjedhje të mira në jetë."
46 të burgosur të tjerë do të lirohen sot. Scrivner e di problemin me të cilin ata përballen.
"Është përpjekje e madhe. Është shumë e vështirë nëse ke qënë në burg për shumë vite pasi çdo gjë këtu jashtë ka ndryshuar. Duhet të mësosh si ta jetosh jetën në këtë botë."
Trashëgimia e një presidenti varet nga suksesi i tij. Me ndryshimet në ligjet e dënimit, më shumë se 6 mijë të burgosur do të lirohen para se ai të largohet nga posti.
Gjykatësi Ancer Haggerty e dënoi zonjën Scrivner me 30 vjet. Ai tani ka dalë në pension. Por në atë kohë, Haggerty nuk mund ta ulte dënimin e saj për shkak të rregullave për dënimet minimale të detyrueshme.
"Mendimi i përgjithshëm ishte të barazoheshin dënimet në mbarë vendin dhe prandaj u vendos minimumi i detyrueshëm. Por kam qënë gjithmonë i mendimit se disa prej dënimeve ishin tepër të rënda. "
I kërkuam zonjës Scrivner të na çonte në vendin ku jetonte me vajzën e saj para se të arrestohej. Ajo nuk ka qënë aty prej 22 vjetësh.
"Këtu mendova se po filloja një jetë të re. Dhe pastaj çdo gjë u përmbys dhe mori fund duke marrë edhe jetën time. "
Tani ajo ka shansin për të filluar një jetë tjetër.