SHBA ndjekin lëvizjet e ISIS në Libi

Presidenti Barak Obama ka udhëzuar këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare të hartojnë strategji për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Shtetit Islamik për shtrirjen e aktivitetit të tyre në Libi dhe vende të tjera.

Presidenti theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’u kundërvihen elementëve që synojnë të kryejnë akte terroriste, një mesazh që gjeti jehonë edhe në komentet e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Ash Carter:

“Ata po përpiqen të marrin në dorë frenat e ekonomisë dhe të imponojnë taksa, siç ka vepruar më parë ISIS. Shohim të njëjtat ambicje në këta individë, ashtu siç i kemi parë në zbatim të plotë në Siri dhe Irak. Nuk duam që zhvillime si ato në Siri dhe Irak të shfaqen në vende të tjera, prandaj po e ndjekim situatën nga afër; prandaj po hartojmë opsione mbi veprimet që do të ndërmarrim në të ardhmen”.

Zoti Carter i bëri komentet në një konferencë për shtyp në Pentagon, ku tha se luftëtarët e Shtetit Islamik po përpiqen të “konsolidojnë prezencën” në Libi duke ngritur qendra stërvitore dhe duke tërhequr rekrutë të rinj.

Presidenti Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’u kundërvihen elementëve terroristë në vende me qeverisje të kufizuar apo të dobët si Libia, ku ISIS po përpiqet të krijojë baza të sigurita.