SHBA, Brazil, luftë kundër virusit Zika

Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit thanë se janë dakord mbi "rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta" për të luftuar përhapjen e virusit Zika.

Pas bisedës që dy presidentët patën dje, Shtëpia e Bardhë publikoi një deklaratë ku thuhej se Barack Obama dhe Dilma Rouseff njohin rëndësinë për të punuar së bashku", në mënyrë që të thellohen njohuritë e përbashkëta dhe të mund të krijohen vaksina më të mira apo teknologji të tjera kundër virusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se virusi Zika është përhapur me shpejtësi në kontinentin Amerikë dhe mund të prekë deri në katër milion njerëz.

Virusi Zika ka qenë i lidhur paraprakisht me 4000 raste të dyshuara të mikrocefalisë në Brazil, sëmundje që shkakton anomali në kokën dhe trurin e fëmijës, duke e lënë të pazhvilluar. Deri tani nuk ekziston ndonjë trajtim për mikrocefalinë apo për vetë virusin Zika.