Një serë gjigande e ndërtuar mbi taracë

Një serë gjigande në Çikago furnizon me perime të freskëta qytetet veriore të Amerikës Perëndimore me mot të ftohtë. Kjo realizohet pa qenë e nevojshme të shpenzohet energji për ngrohje masive, apo për transportin.

Të sigurosh sallata delikate në mesin e ngricës në dimër mund të duket diçka e kushtueshme, por pronarët e kësaj hapësire gjigande ku mbillen bimë nuk do të ishin dakord me këtë.

Në këtë serë perimet rriten shpejt, nën dritën e diellit dhe në temperatura të ngrohta. Në fakt kjo pamje është mashtruese, sepse jashtë, vetëm disa fije bari arrijnë t'i rezistojnë borës…

Vetë sera qëndron mbi një fabrikë masive sapuni, që e siguron energjinë nga një turbinë me erë…

Kjo është ide e një kompanie nga Nju Jorku, e quajtur "Gotham Greens".

Ajo ka sera të tilla në lagjet Bruklin dhe Kuins, por sipas drejtorit Viraj Puri, sera e Çikagos, është pa dyshim më e madhja e kompanisë, ndoshta më e madhja në botë.

"Vështirë të përshkruash si ndjehesh kur je brenda një sere që është gati një hektar, sa dy fusha futbolli", - thotë Viraj Puri.

Pozicionimi mbi fabrikë bën që kostoja e ngrohjes të jetë e ulët.

Sipas kompanisë "Gotham Greens", ndërtimi i serave mbi taracën e fabrikave është një projekt që do të zbatohet edhe në qendra të tjera në SHBA.

Sipas Viraj Purit, operacioni lejon një prodhim më intensiv të bimëve të kultivuara.

Ai thotë: "Ndërsa një fermë konvencionale në këtë rajon mund të jetë në gjendje të sigurojë 3 deri në 4 prodhime në vit të perimeve të gjelbra, ne mund të sigurojmë deri në 20 në vit."

Jenn Frymark është një nga themelueset e kompanisë:

"Për ne, të qënit mbi çatinë e një ndërtese tjetër na siguron një dysheme të ngrohtë dhe kjo pakëson kërkesën për ngrohje që këtu është e konsiderueshme".

Ajo thotë: "Sot në Çikago temperatura është -12 gradë Celsius ndërsa këtu brenda është gati 24 gradë Celsius."

Kompania "Gotham Greens" thotë se bisnesi i tyre nuk përfiton vetëm nga ulja e shpenzimeve për ngrohjen dhe për transportin.

Lakra marule dhe sallata të tjera nuk qëndrojnë gjatë. Ato fillojnë të prishen që gjatë transportit.

Drejtori i kompanisë Puri thotë se përfitimi nga sera është se prej saj sigurohen sallata të freskëta, të cilat kërkohen shumë në treg:

Ai shton: "Shumica e perimeve të gjelbra që konsumohen në Çikago dhe në qytete të tjera vijnë nga Salinas Velli dhe San Joaquin Velli të Kalifornisë, ose nga Meksika. Ato janë 3-5 mijë kilometra larg."'

Ky koncept duket se është zbatuar me sukses. Ndërtimi i serës së Çikagos kërkoi 6 muaj.

Për restorante si "Luxbar", sallata e freskët ka shumë rëndësi për një shërbim të mirë. Menaxheri John Damas thotë se pikërisht freskia e perimeve vlerësohet shumë në restorantin e tyre

John Damas është pronar restoranti:

"Është shumë e rëndësishme ta marrësh sallatën e freskët, të prerë me dorë, e cila sillet në restorant vetëm pak orë pasi është mbledhur."

Edhe pse nuk është zgjidhje për të gjitha problemet e fermave, Viraj Puri mendon se serat e ndërtuara mbi çatitë e ndërtesave janë zgjidhje e një lloji të ri:

"Unë personalisht nuk besoj se kjo medoemos është e ardhmja e fermave, apo e bujqësisë, por mendoj se mund të luajë një rol kuptimplotë. Ky mund të jetë një biznes i zbatueshëm dhe i qëndrueshëm".

Deri tani, këto lloj serash e kanë kufizuar prodhimin e tyre tek lakra marule, erëzat dhe perimet që mund të rriten në hardhi siç janë domatet.