Tahiri marrëveshje bashkëpunimi me FBI-në

Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm shqiptar dhe ai i Jashtëm Bushati, u pritën dje nga drejtori i FBI-së James Comey. Marrëveshja parashikon shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar

Ministria e Brendshme shqiptare dhe Federal Bureau of Investigation, FBI-ja amerikane arritën një marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshja u firmos të enjten pasdite në Uashington, nga ministri i Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri dhe drejtori i FBI-së James Comey, gjatë një vizite që një delegacion i lartë qeveritar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama zhvilluan në zyrat e FBI-së, pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Barack Obama dhe zëvendësin e tij Joe Biden.

“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje dypalëshe është nxitja e shkëmbimit të informacionit për verifikimin e të dhënave në luftën kundër terrorizmit me synim fuqizimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër terroriste”, shpjegon një komunikatë e shpërndarë nga ministria e Brendshme shqiptare në Tiranë, sipas së cilës “në marrëveshje parashikohet që palët të caktojnë një ose më shumë pika kontakti mes tyre. Për palën shqiptare, pikë kontakti do të jetë Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit ndërsa për palën amerikane do të jetë TSC (Terrorism Screening Center)”.

Drejtori i FBI-së ka premtuar, sipas komunikatës, “të ndihmojë Policinë e Shtetit në mënyrë të veçantë për trajnimin e punonjësve të policisë shqiptare në akademinë e FBI-së, për trajnimet e vazhdueshme të hetuesve shqiptarë si dhe për përmirësimin e infrastrukturës hetimore”, si dhe “u angazhua të ndihmojë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturën, burimet njerëzore dhe kapacitetet hetimore të saj”. Byroja kombëtare e Hetimit pritet të jetë në varësi të Prokurorisë së posaçme antikorrupsion, e parashikuar si një nga strukturat e reja që do të ngrihen në kuadër të Refomës në Drejtësi.