Njëmijë atletë rusë përfituan nga dopingu

Një raport i ri zbulon se më shumë se 1 mijë atletë rusë që konkurronin në Lojërat Olimpike verore, dimërore dhe paraolimpike ishin përfshirë ose kanë përfituar nga një komplot i organizuar për të fshehur testimet pozitive për doping. Raporti u paraqit sot në Londër nga Agjencia Botërore e Antidopingut.

Në një konferencë shtypi, hetuesi i Agjencisë Botërore të Antidopingut, profesori kanadez i së drejtës, Richard McLaren, paraqiti raportin e tij të ri mbi mashtrimet e dopingut të sponsorizuara nga shteti në Rusi, si dhe përpjekjet për mbulimin e tyre, që përfshinin veçanërisht Olimpiadën Dimërore të vitit 2014 në Soçi.

"Ne jemi tani në gjendje jo vetëm të konfirmojnë gjetjet e raportit të parë, por edhe për t’i vënë ato në një fokus më të mprehtë dhe më të qartë. Ne kemi gjetur se numri i atletëve të përfshirë është edhe më i madh, po ashtu edhe përmasat e komplotit dhe të përpjekjeve për mbulimin e tij, përpjekje që fillojnë të paktën në vitin 2011 dhe vazhdojnë pas Lojrave Olimpike të Soçit," tha zoti McLaren.

Gjetjet e reja konfirmojnë pjesën më të madhe të provave të përfshira në raportin e parë të zotit McLaren, që u publikuan në korrik dhe që çuan në kërkesën e Agjencisë Botërore të Antidopingut të kërkojë përjashtimin e Rusisë nga Olimpiket e Rio de Zhaneiros.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e refuzoi kërkesën, por lejoi federatat sportive ndërkombëtare të vendosnin vetë se cilët atletë rusë mund të konkurronin.

Raporti i ri i zotit McLaren do të dorëzohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, i cili ka dy komisione të veçanta që do të shqyrtojnë akuzat.

Komiteti ka thënë se do të ndërmarrë masa të rrepta ndaj çdo atleti apo zyrtari të përfshirë në doping.