Kreditë e këqija dhe pabarazia sociale

Your browser doesn’t support HTML5

Berzh per ekonomine

Në Tiranë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim publikoi një Raport Tranzicioni mes dy viteve.

Sipas këtij raporti, kreditë e këqija dhe pabarazia sociale janë dy nga problemet kryesore të ekonomisë shqiptare.

BERZH propozoi se edhe bujqësia duhet kredituar më shumë, si burim me rëndësi i prodhimit kombëtar.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerësoi sot, në Raportin e Tranzicionit 2016-2017, se kreditë e këqija janë rreziku kryesor i sistemit bankar të Shqipërisë.

Detyrat kryesore të ekonomisë shqiptare, sipas BERZH, mbeten qëndrueshmëria makro-ekonomike e financiare si dhe vazhdimi i reformave financiare dhe në tregun e punës, si dhe krijimi i kushteve të favorshme për bizneset e ndershme përballë infomalitetit.

BERZH vlerësoi programin e Bankës së Shqipërisë kundër kredive të këqija si rrugëdalja kryesore nga detyrimet e vjetra bankare dhe për fuqizimin e ekonomisë.

BERZH pret gjatë këtij viti një rritje ekonomike më të shpejtë në Europën Qendrore e Juglindore, megjithë rrezikun që çmimet e lëndëve të para mund të rriten për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe ekonomike.

Shqetësim i madh mbetet, sipas saj, thellimi i pabarazisë shoqërore, duke ndikuar negativisht mirëqenien ekonomike të vendeve në tranzicion.

Banka e Shqipërisë dhe BERZH mendojnë se janë të gjitha mundësitë për të rritur kreditimin e sektorëve privatë, si bujqësia, e cila jep një pjesë të ndjeshme të prodhimit të brendshëm bruto.

Lufta kundër informalitetit do të përmirësojë klimën e biznesit dhe investimeve të huaja, theksohet në raport.

BERZH pohoi se lufta e vërtetë ndaj varfërisë dhe pabarazisë duhet të mbështetet në reformat ekonomike e ligjore dhe institucionale, që janë pjesë e procesit të integrimit europian.