Arrestohet i dyshuari si anëtar i Bandës së Durrësit

Në Shqipëri policia njoftoi se ka arrestuar në flagrancë Marjel Fierzën dhe Genti Ndërjakun, në kuadër të operacionit “Vjeshtë 2017” i cili synon goditjen e pasurive të vëna nga aktivitete kriminale. Fierza, 30 vjeç, banor në Durrës, është një emër i njohur për policinë. Ai dyshohet të jetë një prej të së ashtuquajturës Banda e Durrësit e drejtuar nga Lulzim Berisha. Sipas policisë, Fierza dhe Ndërjaku u arrestuan në bazë të informacioneve nga strukturat e policisë. Gjatë një kontrolli në mjetin me të cilin udhëtonin u sekuestruan 2 pistoleta.

Arrestimi i të dyshuarit si bashkëpunëtor i Lulzim Berishës vjen pak ditë pasi emri i këtij të fundit u citua nga ambasadori amerikan në Shqipëri Donald Lu gjatë një fjalimi me tone të forta për situatën e krimit të organizuar në vend. “Lul Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit u lirua gabimisht herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha mbetet i lirë”, deklaroi ambasadori Lu, sipas të cilit “është koha që qeveria e Shqipërisë t’i shpallë luftë krimit të organizuar”