Meta: Shqipëria dhe Maqedonia mund të jenë shembull i bashkëpunimit rajonal

Meta - Ivanov

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta ishte për vizitë në Maqedoni, ku u takua me zyrtarë të lartë dhe politikanë të këtij vendi. Me homologun e tij maqedonas Gjorgje Ivanov, ai ka diskutuar mbi një sërë temash, si ajo e integrimeve euro-atlantike, bashkëpunimi për ngritjen e lidhjeve infrastrukturore midis dy vendeve, raportet me bashkësitë etnike, etj.

“Unë besoj që Shqipëria dhe Maqedonia i kanë mudnësitë që të jenë një shembull për gjithë bashkëpunimin rajonal. Pasdiskutim që këtu një rol pozitiv, përveç ne si përfaqësues të institucioneve të dy shteteve tona, padyshim që kanë edhe shqiptarët në Maqedoni apo maqedonasit në Shqipëri. Dua të shpreh kënaqësinë që faktori politik shqiptar në Maqedoni është i orientuar qartë drejt stabilitetit dhe bashkëjetesës por edhe drejt integrimit euro-atlantik dhe evropian”, tha presidenti Meta.

Ai theksoi se Maqedonia si anëtarëse e Natos do të ishte një sukses jo vetëm për të por për të gjithë rajonin, “në këtë kohë me plotë presione”, siç u shpreh ai.

Ndërkaq, presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov tha se për afrimin e dy popujve dhe bizneseve nevojitet një investim i madh në rrjetin infrastrukturor; “Se niveli i shkëmbimit tregtar nuk është i kënaqshëm”, tha ai, ndërkohë që theksoi nevojën për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në Nato, ndërsa tha se vendi i tij “do t’i ndajë përvojat me Shqipërinë për sa i përket synimeve integruese të kësaj të fundit për në Bashkinin Evropian”.

Presidenti Meta në Shkup u prit në një ceremoni me nderime të larta ushtarake. Vizita e presidentit shqiptar synon thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje pas ardhjes në pushtet të social-demokratëve në Shkup.