Fjalimi Urbi et Orbi i Papa Françeskut

Papa Françesku bëri thirrje për paqe në Jerusalem dhe "besim të ndërsjellë" në gadishullin Korean në fjalimin e tij tradicional të Krishtlindjeve "Urbi et Orbi" nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit.

Papa Françesku foli për "tensionet në rritje mes izraelitëve dhe palestinezëve", duke shprehur shpresën se "vullneti për të rifilluar dialogun mund të mbizotërojë mes palëve dhe që në fund të arrihet një zgjidhje e negociuar, e cila do të lejonte bashkëjetesën paqësore të dy shteteve".

Palestinezët u zemëruan me vendimin e Presidentit Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Papa u përqendrua gjithashtu në vuajtjet e fëmijëve në konflikte, i dëshpëruar që "erërat e luftës" fryjnë në të gjithë botën, si dhe në nevojën për "besim të ndërsjelltë" në gadishullin Korean.

"Le të lutemi që konfrontimi mund të kapërcehet në gadishullin Korean dhe që besimi i ndërsjellë mund të rritet në interes të botës si një e tërë", tha Papa.

Gjatë Meshës së Krishtlindjes, të dielën, ku morën pjesë rreth 10,000 njerëz brenda dhe jashtë Bazilikës së Shën Pjetrit, Françesku mbrojti me forcë emigrantët, duke i krahasuar ata me Marinë dhe Jozefin që nuk gjetën vend për të qëndruar në Bethlehem, duke thënë se besimi kërkon që të përkrahen të huajt dhe duke bërë thirrje për një "imagjinatë të re sociale".

Papa u bëri thirrje më shumë se 1.2 miliardë katolikëve në botë që të mos e injorojnë gjendjen e imigrantëve të cilët "ikin nga toka e tyre" për shkak të vullnetit të udhëheqësve për të derdhur "gjakun e pafajshëm".