Tahiri, mbetet në arrest shtëpie

Në Shqipëri, Gjykata e Krimeve të Rënda rikonfirmoi sot masën e arrestit në shtëpi për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Masa ndaj tij u mor të shtunën e kaluar. Prokurorët kërkuan arrestin me burg, ndërsa dyshojnë se ai është përfshirë në “Trafikim të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Zoti Tahiri dhe avokati i tij kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë duke qenë se sipas tyre, ish ministri gjatë gjithë kësaj kohe ka dëshmuar se nuk i shmanget drejtësisë dhe se ai vetë ka dhënë vullnetarisht dorëheqjen nga mandati deputetit.

Prokurorët mbrojtën qëndrimin e tyre, duke deklaruar gjatë seancës e cila zgjati mbi dy orë, se kanë prova të reja që dëshmojnë për lidhjet e zotit Tahiri me vëllezërit Habilaj dhe grupin e tyre i cili u godit në Itali. Prokurorët thanë se disponojnë fakte se Tahiri ka qenë në shoqërinë e Habilajve e madje se është ndërhyrë dhe në sistemin TIMS, të policisë që rregjistron hyrje daljet nga vendi, për të fshirë lëvizjet e Moisi Habilajt, një prej të arrestuarve në Itali.

Avokati Maksim Haxhia, tha se do të ankimojë në Gjykatën e Apelit vendimin e arrestit në shtëpi për ish ministrin.