Një anije evropiane shpëtimi me 141 migrantë në bord po vazhdon të kërkojë një vend të sigurtë për t’u ankoruar, kur kanë kaluar katër ditë që kur anija i gjeti migrantët në Mesdhe.
“The Aquarius”, anija e drejtuar nga organizatat “SOS Mesdheu” dhe “Mjekët Pa Kufij”, thotë se Italia dhe Malta nuk e kanë pranuar atë në brigjet e tyre. Grupet kanë akuzuar të dy qeveritë për shkeljen e ligjit ndërkombëtar detar që lejon anijet të ankorohen në pikën më të afërt të sigurtë. Nick Romaniuk është kordinator për kërkim-shpëtimin.
“Do të jem në anije për një muaj e gjysëm por këta njerëz nuk duhet të jenë. Ata meritojnë të zbarkojnë në tokë sa më parë që të jetë e mundur, ku mund të marrin trajtimin e duhur. Ka të plagosur dhe të sëmurë. Ata kanë nevojë për trajtim nga institucionet e duhura mjekësore në tokë.”
Organizata “SOS Mesdheu” thotë se pjesa dërmuese e migrantëve erdhën nga Somalia dhe Eritrea dhe janë mbajtur në kushte çnjerzore në Libi para se të niseshin në det të hapur.
Çdo vit mijëra njerëz nga Afrika Nën-Sahariane dhe vende si Siria dhe Afganistani përpiqen të kalojnë Mesdheun për t’i shpëtuar luftës, terrorizmit dhe varfërisë dhe gjetjes së një jete më të mirë në Bashkimin Evropian.