Zgjedhjet në Afganistan shoqërohen nga dhuna

15 persona u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën kur një vetëvrasës u përpoq të hynte në një qendër votimi në Kabulin verior.

Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, tetë nga të vrarët ishin policë që ndaluan sulmuesin në pikën e parë të kontrollit të sigurisë, pak para se ai të aktivizonte eksplozivin e tij.

Zgjedhjet parlamentare të së shtunës në Afganistan thuhet se janë shoqëruar nga sulme sporadike gjatë gjithë ditës, së bashku me njoftimet për rradhë të gjata dhe miliona njerëz që hodhën votën.

Talebanët kishin lëshuar paralajmërime të përsëritura për sulme ndaj qendrave të votimit dhe në të gjitha aktivitetet e lidhura me zgjedhjet. Kërcënimet, megjithatë, nuk ishin të mjaftueshme për të mbajtur shumë votues të regjistruar larg kutive të votimit.

Ekipet e Zërit të Amerikës në të gjithë vendin njoftuan për një pjesëmarrje të dukshme, duke gjykuar nga numri i votuesve në qendra të ndryshme të votimit.

Kryetari i Komisionit të Pavarur Zgjedhor të Afganistanit, Gulajan Bade Sayad, tha se më shumë se 2 milion afganë kishin votuar në 27 provinca deri në orën 2 të mëngjesit sipas kohës lokale. Pjesëmarrja më e madhe, 638,000 vota, ishte në Kabul.