Cesar Sayoc, njeriu i akuzuar për dërgimin e të paktën 13 pakove me pajisje eksplozive në adresë të kritikëve të Presidentit Donald Trump, pritet të paraqitet sot për herë të parë në gjykatë.
56-vjeçari do të paraqitet para një gjykatësi federal në Majemi të Floridës, jo shumë larg vendit ku agjentët federalë e arrestuan të premten pranë furgonit ku autoritetet thonë se banonte.
Disa dritare të automjetit ishin mbuluar me fotografi që tregonin mbështetje për zotin Trump ose me shënjestra mbi fytyrat e kundërshtarëve politikë të Presidentit. Sayoc është akuzuar për dërgimin e pajisjeve shpërthyese.
Një tjetër paketë e dyshimtë drejtuar rrjetit televiziv CNN, ku Sayoc mendohet se dërgoi dy pajisje të ngjashme javën e kaluar, u kap sot në një zyrë postare të qytetit Atlanta.
Por presidenti i CNN-it Jeff Zucker tha se ndërtesa kryesore e rrjetit televiziv nuk u vu në rrezik.
Pas seancës së sotme, çështja e të akuzuarit Sayoc pritet të zhvendoset në një gjykatë federale të Nju Jorkut.
Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions tha se Sayoc mund të përballet me 48 vjet burg nëse shpallet fajtor.