SHBA: Administrata do të kufizojë të drejtën për azil në kufirin me Meksikën

Administrata e presidentit Trump po merr masa për të kufizuar kërkesat për azil në kufirin amerikan me Meksikën, duke përcaktuar që kushdo që hyn në SHBA në mënyrë të paligjshme, nuk do ta këtë të drejtë.

Sipas udhëzimit më të fundit, të përkohshëm, të departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe atij të Drejtësisë thuhet se presidenti ka autoritet të kufizojë të drejtën për azil dhe mund ta bëjë këtë me anë të një njoftimi zyrtar.

Përfaqësuesi i Bashkimit Amerikan për Liritë Civile, Shaw Drake i tha Zërit të Amerikës se e sheh këtë masë këtë si një përpjekje për të ndaluar karvanin e imigrantëve që po i afrohet SHBA-së nëpërmjet Meksikës.

Karavani ka qenë në fokusin e Presidentit Donald Trump, i cili ardhjen e tij a ka quajtur "pushtim" dhe një çështje "emergjente". Në periudhën para zgjedhjeve të 6 nëntorit për në Kongres, presidenti Trump e ka përmendur shpesh karvanin dhe kërcënimin që ai paraqiste sipas tij.