Trump: Nuk do të jap intervistë të drejtpërdrejtë për hetimin Mueller

Presidenti Donald Trump po deklaron se "ndoshta" nuk do të ulet për një intervistë të drejtpërdrejtë me Prokurorin e posaçëm Robert Mueller, që po heton lidhjet e mundshme mes fushatës së tij me Rusinë, duke sugjeruar se përgjigjet e tij me shkrim ndaj pyetjeve të prokurorit do të jenë përgjigja e tij përfundimtare.

Presidenti Trump tha për kanalin Fox News sot se ditët e fundit ai dha " përgjigje shumë të plota për pyetje që nuk duhet t'i bëheshin. Ndoshta ky është fundi", tha presidenti.

Në një intervistë në Shtëpinë e Bardhë të regjistruar të premten dhe transmetuar të dielën, presidenti Trump tha se avokatët e tij po kompletojnë përgjigjet për dhjetra pyetje të zotit Mueller por se ato janë hartuar prej tij.

Avokatët e presidentit Trump pritet të kthejnë përgjigjet e tij me shkrim në ditët e ardhshme, megjithëse avokati i presidentit Trump, Rudy Giuliani tha javën e kaluar se disa nga pyetjet krijuan "më shumë probleme ligjore sesa të tjerat." Giuliani i cilësoi disa nga pyetjet si "të panevojshme", disa isi "kurthe të mundshme" dhe se "ne mund të konsiderojmë disa si të parëndësishme. "

Pyetjet kanë të bëjnë me ngjarjet përpara zgjedhjeve të nëntorit 2016, jo gjatë dy muajve ndërsa Trumpi ishte president i zgjedhur, apo ngjarje gjatë presidencës së tij.

Në intervistën për kanalin Fox News, presidenti përsëriti sulmet e tij për hetimin 18 mujor Mueller.

"Është një mashtrim," tha ai. "Nuk kishte bashkëpunim të fshehtë me Rusinë."