Gjenerali amerikan: Kapacitetet bërthamore koreano-veriore, të pandryshuara

Një ushtarak i lartë amerikan që shërben në Korenë e Jugut thotë se kapacitetet bërthamore dhe aftësitë e tjera ushtarake të Koresë së Veriut mbeten të pandryshuara dhe përbëjnë një kërcënim për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Gjenerali Robert Abrams, kreu i forcave amerikane në Seul i bëri komentet të martën përpara komisionit të Forcave të Armatosura të Senatit, duke nënvizuar ngërçin diplomatik mes Shteteve të Bashkuara dhe Phenianit që kur Presidenti Donald Trump dhe Kim Jong Un-i ranë dakort në qershorin e kaluar në Singapor të punojnë për çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean.

"Nuk kam asnjë iluzion se pavarësisht një ulje të tensioneve përgjatë zonës së çmilitarizuar dhe një ndërprerje të provokimeve strategjike, kombinuar me deklarata publike për çarmatim bërthamor, nuk ka ndodhur asnjë ndryshim i verifikueshëm lidhur me aftësitë ushtarake të Koresë së Veriut", tha ai.

Dy udhëheqësit Donald Trump dhe Kim Jong Un do të mbajnë një takim të dytë në Vietnam më vonë gjatë këtij muaji. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se presin "përparim të rëndësishëm dhe të verifikueshëm".

Shumë prej tyre kanë shprehur shqetësimin se Presidenti Trump mund ta përdorë takimin e ardhshëm për të njoftuar një tërheqje ose pakësim të trupave amerikane në Korenë e Jugut.

Ndërkohë gjenerali Abrams tha se Koreja e Veriut po i vazhdon stërvitjet ushtarake dimërore të cilat i zhvillon çdo vit. Për dekada me radhë Pheniani ka thënë se stërvitjet janë përgatitje në rast pushtimi të vendit, një pikëpamje që Shtetet e Bashkuara e mohojnë fuqishëm.