Ditë zie në Maqedoninë e Veriut për viktimat e aksidentit

  • Isak Ramadani

Your browser doesn’t support HTML5

E enjtja dhe e premtja në Maqedoninë e Veriut është shpallur ditë zie për shkak të humbjes së jetëve të katërmbëdhjetë pasagjerëve në aksidentin tragjik të djeshëm midis Shkupit dhe Tetovës.

14 të vdekur është bilanci i aksidentit tragjik të autobusit që dje doli nga rruga dhe u përplas pranë fshatit Llaskarcë, midis Shkupit dhe Tetovës. Shumica e viktimave dhe të plagosurve janë nga Gostivari, të moshave të ndryshme por kryesisht të rinjë, punonjës administrate, e studentë që për çdo ditë e bënin këtë rrugë.

Autoritetet kanë identifikuar vitkimat.

Prokuroria ka vazhduar hetimet edhe gjatë ditës së enjte. Shoferi i autobusit kishte humbur kontrollin; së pari ishte përplasur në bankinat e autostradës, kishte kaluar në kahjen tjetër të rrugës, për të përfunduar në një tatëpjetëze përtej rrugës rajonale që lidh Shkupin me Tetovën. Ai është marrë në pyetje; Ka kaluar me plagë të lehta dhe është lëshuar në shtëpi.

Një pjesë e pacienëteve e kanë lëshuar spitalin dhe ndodhen në shtëpitë e tyre, 35 janë shtrirë në spitalet e Shkupit dhe dy në spitalin e Tetovës. Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se katër vetë janë në gjendje të rëndë por të qëndrueshme.

Kryeministri Zoran Zaev pasi vizitoi të lënduarit shprehu mirënjohje për banorët e fshatit Llaskarcë, “për humanitetin dhe solidaritetin e tyre që kishin treguar për të ndihmuar. Vepra e tyre me siguri ka shpëtuar jetën e shumicës së njerëzve”, tha Kryeministri maqedon.

Kjo tragjedi ka mbuluar në zi Gostivarin. Këshilli Komunal mbajti një seancë përkujtimore ku folën kryeministri Zaev, presidenti Gjorgje Ivanov dhe kryetari i komunës, Arben Taravari.

Ngjarja ka prekur opinonin e gjerë edhe në fqinjësi e më gjerë. Krerët shtetërorë e qeveritarë të Shqipërisë, Kosovës, Bullgarisë, Greqisë e vendeve të tjera kanë shprehur ngushëllimet e tyre.

Edhe Komisioneri evropian Johannes Hahn përmes një statusi në Twitter ka shprehur pikëllimin e thellë për aksidentin.

Ndërkaq, Ambasada amerikane në Shkup ka ulur flamurin në gjysmë shtizë, dhe ambasadori Jess Baily ka shprehur ngushëllime për humbjen tragjike të jetëve.