Parlamenti britanik refuzon Brexitin pa marrëveshje

Ligjvënësit britanikë votuan kundër mundësisë që Britania e Madhe të largohet nga Bashkimi Evropian, pa rënë dakord mbi hollësitë e shkëputjes, duke i hapur rrugën një votimi për shtyrjen e Brexitit, në një përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga kriza më e rëndë politike në shumë breza.

Gjithsej 321 ligjvënës votuan kundër largimit pa marrëveshje dhe qeveria pritet të kërkojë zgjatjen e afatit për largim deri më 30 qershor. Por kërkesa duhet të miratohet nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Pas dy vjet e gjysme negociatash dhe dy dështimesh për të kaluar në parlament marrëveshjen për Brexitin të propozuar nga kryeministrja Theresa May, vota e së mërkurës ende nuk shënon përfundimin e kushteve e as kohës se kur do të largohet Britania nga blloku të cili i ishte bashkuar në vitin 1973.

Çështja kryesore e negociatave dhe ndarjeve të brendshme në Britani është kufiri me Irlandën dhe ndikimi që Brexiti mund të ketë në rrafshin ekonomik pas 29 marsit.

Vendimi për Brexitin pasoi referendumin e qershorit të vitit 2016 kur 52 për qind e votuesve mbështetën largimin nga blloku.

Bashkimi Evropian do të preferonte një zgjatje të shkurtër të afatit për shkak të zgjedhjeve parlamentare të bllokut që mbahen në muajin maj.