Mozambik: Pas ciklonit konfirmohen raste kolere

Në Mozambik, pas shkatërrimeve që shkaktoi cikloni Idai, autoritetet lokale dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmave po ndeshen me një krizë të re, kolerën.

Një zyrtar i lartë i shëndetësisë u tha gazetarëve të mërkurën se pesë raste të sëmundjes janë zbuluar në një lagje të qytetit bregdetar, Beira, i cili pësoi dëmin më të madh gjatë stuhisë që goditi Mozambikun, Malauin dhe Zimbabven në fund të javës së kaluar. Stuhia dëmtoi infrastrukturën e qytetit, përfshirë sistemin e saj të furnizimit me ujë dhe të kanalizimeve.

Kolera është një sëmundje bakteriale që zakonisht vjen si rezultat i pirjes së ujit të infektuar dhe kanalizimeve të dobëta. Ajo çon në diarre serioze që mund të shkaktojnë vdekjen brenda disa orësh, nëse nuk trajtohet. Punonjësit e shëndetësisë po përballen gjithashtu me një numër në rritje të njerëzve që vuajnë nga diarreja akute.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se 900 mijë vaksina kundër kolerës pritet të mbërrijnë në rajon rreth kësaj jave.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha të martën se bashkësia ndërkombëtare duhet që menjëherë të rrisë fondet për të ndihmuar tre vendet e Afrikës jugore që janë shkatërruar nga cikloni.

Të hënën, Kombet e Bashkuara bënë thirrje për rreth 282 milionë dollarë për të mbuluar nevojat e menjëhershme për tre muajt e ardhshëm të Mozambikut, shtetit që pësoi goditjen më të rëndë.