Rusia urdhëron pezullimin e fluturimeve ajrore drejt Gjeorgjisë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar pezullimin e fluturimeve të linjave ajrore me pasagjerë drejt Gjeorgjisë. Të dyja vendet, mes të cilave u zhvillua konflikti ushtarak i viti 2008 për rajonin e Osetisë Jugore, vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për trazirat që shpërthyen në kryeqytetin gjeorgjian pasi një deputet rus mbajti një fjalim në parlamentin gjeorgjian, i ulur në karrigen e kryetarit të parlamentit të vendit. Megjithëse Kremlini i konsideroi protestat që pasuan si një provokim anti-rus, Presidentja gjeorgjiane e përshkroi Rusinë një vend “armik dhe pushtues” dhe sugjeroi se Moska kishte nxitur krijimin e trazirave.

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar pezullimin e linjave ajrore të pasagjerëve drejt Gjeorgjisë nga data 8 korrik.

Një numër linjash ajrore kanë fluturime të rregullta mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, ndër to kompania shtetërore ruse Aeroflot. Sipas autoriteteve ruse, rreth 1500 vizitorë rusë gjendeshin në territorin gjeorgjian ditën e djeshme. Pasagjerët në aeroportin e Moskës reaguan me shqetësim.

“Dua të kthehem më 2 korrik dhe shpresoj të mos më ndikojë ndalimi... Po, jam e shqetësuar (për sigurinë)...”, thotë Tatiana Otanova, udhëtare ruse në aeroportin e Moskës.

Gjeorgjia dhe Rusia fajësuan njëra-tjetrën për përplasjet në Tbilisi pasi një deputet rus, Sergei Gavrilov, mbajti një fjalim në parlamentin gjeorgjian, i ulur në karrigen e kryetarit të parlamentit të vendit. Kjo irritoi protestuesit që ishin mbledhur jashtë godinës së parlamentit dhe çoi në përplasje të dhunshme me policinë.

Përplasjet me policinë vazhduan deri në orët e para të mëngjesit të së premtes, duke shkaktuar 240 të plagosur nga radhët e protestuesve, gazetarëve dhe policisë. Një pjesë e tyre u plagosën nga plumbat e gomës që përdori policia.

Kryetari i parlamentit gjeorgjian, Irakli Kobakhidze, dhe zëvendësi i tij që planifikuan aktivitetin ku merrte pjesë delegacioni rus, një sesion i Asamblesë Ndërparlamentare për Ortodoksinë, dhanë dorëheqjen.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, e quajti Rusinë një vend “armik dhe pushtues” dhe sugjeroi se Moska kishte nxitur protestat. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ishte rrezikuar siguria e delegacionit rus dhe se gjithçka që kishte ndodhur në Gjeorgji nuk ishte asgjë më shumë se një provokim anti-rus.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Gjeorgji deklaroi se i njeh ndjenjat e lënduara të shumë prej njerëzve që morën pjesë në protesta, por u bëri thirrje palëve të ruajnë qetësinë, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të veprojnë gjithnjë brenda kuadrit kushtetues të vendit.