Shqipëri, polemika për shifrat e zgjedhjeve vendore

  • Armand Mero

Në Shqipëri po vijon që prej mbrëmjes së djeshme numërimi i fletëve të votimit për zgjedhjet e zhvilluara për 61 kryetarët dhe këshillat e rinj bashkiak në të gjithë vendin. Deri pasdite vonë, procesi kishte përfunduar në 33 bashki. Opozita edhe sot foli për një proces të manipuluar. Ajo vuri në dukje se numri i votave të fituesve në disa bashki, ishte më i lartë numri i pjesmarrësve, që kishte njoftuar Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Ky institucion reagoi duke sqaruar se shifrat e pjesmarrjes nuk janë ende zyrtare

Që prej mbërmjes së djeshme opozita ngriti akuza për "një manipulim masiv"
ë procesit zgjedhor, ndërsa akuzoi Komisionin Qëndror të zgjedhjeve se ka rritur artificialisht shfrat e pjesmarrjes që sipas saj nuk e kalojnë 15 përqindëshin, dhe jo mbi 21 përqind sa u referua pak pas mbylljes së votimeve.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, polemika për shifrat e zgjedhjeve vendore

Ashtu si dhe kryetari demokrat Lulzim Basha dhe drejtuesja e Lëvizjes socialiste për integrim Monika Kryemadhi, e cilësoi votimin e djeshëm si një shenjë të refuzimit të qeverisë nga qytetarët: “Shqiptarët folën qartë dje me mos pjesëmarrjen e tyre masive dhe fjala e tyre tashmë është përgjegjësi e madhe për ne. Opozita e bashkuar me të gjithë faktorët politikë dhe jo politikë duhet të marrë përsipër zgjidhjen e krizës, në të cilën Edi Rama dhe klika e tij kanë futur Shqipërinë”.

Por sot opozita foli dhe për manipulim të rezultatit. “Edi Rama po kryen një manipulim masiv të rezultatit të votimit të tij monist, ku vetë votoi, vetë numëroi, vetë vulosi”, u shpreh përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso. “Në votimet moniste të Edi Ramës dalin më shumë vota në kuti sesa ishte pjesëmarrja zyrtare e deklaruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe ky nën kontrollin e Edi Ramës dhe që manipuloi gjatë gjithë ditës pjesëmarrjen e votuesve”, u shpreh zoti Kaso, duke ju referuar mospërputhjes së shifrave në disa bashki ku ka përfunduar procesi i numërimit. Të njejtin fakt e kish denoncuar më parë dhe nënkryetari i Lëvizjes socialiste për integrim Petrit Vasili.

Nuk vonoi reagimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. “Të dhënat e pasqyruara nga KQZ në intervale periodike kohore gjatë ditës së djeshme dhe që gjenden edhe në faqen online të institucionit, janë informacione të siguruara në rrugë operative (me telefon) nga Komisionet e Qendrave të Votimit. Është theksuar disa herë se, këto nuk janë rezultate përfundimtare, dhe si të tilla mund të ketë edhe mospërputhje, të cilat me seriozitetin më të madh do të adresohen nga KQZ në momentin e nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të votimit”, theksoi zëdhënësja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Drilona Hoxhaj. Ajo sqaroi më tej se “kjo është një vendimmarrje shumëvjeçare e legjislatorit shqiptar përmes Kodit Zgjedhor dhe vendimmarrjes së KQZ-së ndër vite që, në dilemën për të mos dhënë asnjë informacion apo për të dhënë një informacion paraprak, ka zgjedhur këtë fundit, në mënyrë që ti mbajë qytetarët të informuar, por pa pretenduar saktësinë absolute, e cila vjen vetëm në përfundim të procesit. Ky është një fenomen – deklaroi zëdhënësja - i cili është evidentuar në çdo proces zgjedhor, por duke qenë se vëmendja kryesore ka qenë tek rezultati, ndërkohë që aktualisht është edhe tek pjesëmarrja, këtë radhë po evidentohet me dukshëm”.

Edhe kryetari Klement Zguri, konfirmoi se nuk bëhet fjalë për të dhëna zyrtare. “Të tilla konsiderohen ato që ndodhen në tabelat përmbledhëse të Komisioneve Zonale. Se çfarë ka ndodhur ajo do të zbulohet nga një proces i kujdesshëm administrativ nga ana e KQZ-së tha ai, duke shpjeguar se mundësitë për të sqaruar këtë situatë janë dy, “gjatë plotësimit të tabelave, ku KQZ zbulon dhe korrigjon gabimet, ose kur ka ankimim të rezultatit nga subjektet zgjedhore” u shpreh zoti Zguri, duke kërkuar bashkëpunimin e këtyre të fundit për të vënë në lëvizje Komisionin. “Saktësia e shifrave në tabulatet e rezultateve është një çështje vendimtare për cilësinë e procesit të 30 Qershorit. Ndaj ka shumë rëndësi që KQZ t’i trajtojë ato me seriozitet. Ftoj publikisht kolegët e mi në KQZ që të ndjekin nga afër raportimet mediatike, dhe të bëjnë gjithshka kanë në dorë që të sjellin qartësi të plotë për këtë problematikë”, theksoi ai.