Francezi kalon La Manshin me disk fluturues

Një ëndërr e vjetër e njeriut, për të fluturar , jo me avion, jo me helikopter apo balon, por vetë nën qiell të hapur, u bë realitet me fluturimin e shpikësit Franky Zapata.

Francezi Zapata përdori shpikjen e tij, një lloj motori fluturues, apo një pllakë fluturuese e pajisur me motor, për të kaluar Kanalin e La Manshit. Ai u nis nga brigjet e Francës dhe mbërriti në brigjet e Anglisë për 20 minuta.

Shpikja e tij punon me pesë motorë me vajguri që Zapata i mbante në një çantë shpine.

Gjatë gjithë rrugës ai u shoqërua nga helikopterë të ushtrisë franceze. Ai u ndal një herë gjatë rrugës në një anije në mes të kanalit për të furnizuar motorin me vajguri.

Ishte hera e dytë që ai tentonte të kalonte La Manshin. Në korrik ai dështoi të përfundonte udhëtimin, pasi ra në ujë kur po përpiqej të ulej në anije për t’u furnizuar.