Afganistan: 14 të vrarë nga shpërthimi i një bombe në Kabul

Zyrtarët afganë thonë se si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm pranë një stacioni policie në kryeqytetin e vendit Kabul, u vranë të paktën 14 vetë dhe u shkaktuan dëme të mëdha në ndërtesat aty pranë.

Autoritetet thonë se sulmuesi shpërtheu makinën e tij të mbushur me eksplozivë ndërsa hyri në pikën e kontrollit jashtë selisë së policisë.

Si pasojë e shpërthimit u plagosën të paktën 145 vetë. Zyrtarët thonë se numri i të vdekurve mund të rritet.

Në një deklaratë të grupit kryengritës thuhej se shënjestër e sulmit ishte një qendër rekrutimi për forcat e sigurisë.

Sulmi i së mërkurës vjen ndërsa ish-udhëheqësit islamikë të linjës së ashpër në Afganistan janë përfshirë në bisedime paqeje me të dërguarin amerikan Zalmay Khalilzad.

Lufta në Afganistan e udhëhequr nga SHBA-ja nisi si përgjigje ndaj sulmeve terroriste të vitit 2001 në Uashington dhe Nju Jork.

Ndërkaq të martën talebanët lëshuan një paralajmërim drejtuar qytetarëve afganë që të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale që pritet të zhvillohen në shtator si dhe të gjitha tubimet parazgjedhore.