Kina thotë se Hong Kongu është në krizën më të rëndë që nga viti 1997

Një zyrtar i lartë kinez përgjegjës për mbikëqyrjen e Hong Kongut thotë se qendra financiare aziatike po përballet me "situatën më të rëndë" që nga koha kur Britania lëshoi kontrollin mbi ishullin në vitin 1997.

Në një konferencë për shtyp të mërkurën në Shenzhen, qytet në kufi me Hong Kongun, kreu i zyrës së qeverisë për çështjet e Hong Kongut dhe Makaos, Zhang Xiaoming, u tha qindra të pranishmëve se protestat gjithnjë e më të dhunshme po ndikojnë gjerësiht tek shoqëria e territorit kinez.

Në Hong Kong aktivitetet e përditshme kanë ndalur pas disa javë demonstratash masive në rrugë që nisën në muajin qershor duke marrë shkas nga qëndrimet kundër një projektligji që parashikonte ekstradimin për procese gjyqësore në Kinë. Projektligji u pezullua, por demonstratat kanë vazhduar dhe janë zgjeruar me thirrje për demokraci më të madhe.

Të mërkurën autoritetet kineze postuan në internet pamje filmike të mijëra oficerë të policisë, tek bënin prova për një anti-rebelim në Shenzhen.

Të martën zëdhënësi i zyrës për çështjet e Hong Kongut Yang Guang, u tha gazetarëve në Pekin se është vetëm "çështje kohe" përpara se drejtuesit e protestave masive të ndëshkohen.

Ai tha se një grup i vogël kriminelësh e kanë shtyrë Hong Kongun në "një greminë të rrezikshme" dhe paralajmëroi protestuesit që të mos "e keqkuptojë situatën dhe të mos e shohin si dobësi vetëpërmbatjen e Pekinit", siç tha ai. Yang Guang tha gjithashtu se "ata që luajnë me zjarrin, do ta pësojnë prej tij".