I dërguari amerikan drejt Afganistanit për bisedimet e paqes

  • Arash Arabasadi

28 prill 2019

Departamenti i Shtetit njoftoi se i dërguari i posaçëm amerikan për Afganistanin shkon të martën në Doha për të vazhduar bisedimet me përfaqësuesit e Talebanëve me synimin për të vendosur paqen në këtë vend të dërrmuar na lufta 18 vjeçare.

Një deklaratë e DASH bën të ditur se i dërguari, Zalmay Khalizad do të shkojë edhe në Kabul "për konsultime me udhëheqjen e qeverisë afgane lidhur me procesin e paqes dhe për të inkurajuar përgatitjen e palëve për negociata mes palëve në Afganistan".

Përpjekjet e administratës Trump vazhdojnë, pavarësisht një vale tjetër dhune terroriste gjatë pesë ditëve të fundit. Një shpërthim vdekjeprurës u mori jetën më shumë se 60 njerëzve gjatë një dasme të shtunën, ndërsa shpërthime të tjera të hënën lanë shumë të plagosur në pjesën lindore të Afganistanit në një kohë kur ai vend kremton 100 vjetorin e pavarësisë nga Britania.

Të hënën në Xhalalabad, në 100 vjetorin e pavarësisë së Afganistanit, 10 shpërthime shkatërruan restorante dhe sheshe publike duke plagosur 66 njerëz.

Shpërthimet ndodhën në më pak se 48 orë pas një sulmi vetëvrasës me bombë në një dasëm në Kabul. Shpërthimi, përgjegjësinë e të cilit e mori Shteti Islamik, u mori jetën 63 njerëzve dhe shkaktoi qindra të plagosur.

Gjatë një ceremonie në Kabul me rastin e pavarësisë, Presidenti Ashraf Ghani u zotua të hakmerrej ndaj përgjegjësve për sulmet.

“Fatkeqësisht, armiqtë e vendit tonë janë shumë frikacakë dhe të dobët sa kryen një sulm brutal terrorist ndaj një dasme. Ata vunë në shënjestër civilët dhe sulmuan fëmijët dhe gratë tona. Në një mënyrë brutale, ata derdhën gjakun e njerëzve tanë. Ne do të hakmerremi për vrasjen masive të njerëzve tanë të pafajshëm.”

Kohët e fundit në Katar, përfaqësues të talebanëve u takuan në kapacitet jozyrtar me delegatët afganë për të diskutuar dhënien fund të dhunës që ka kapluar Afganistanin gjatë 18 viteve të fundit. Talebanët refuzojnë të zhvillojnë bisedime direkte me qeverinë e Kabulit, por kanë zhvilluar takime me Shtetet e Bashkuara.

I dërguari amerikan, Zalmay Khalilzad ka udhëhequr bisedimet amerikano-talebane. Disa ditë më parë Presidenti Trump shprehu optimizëm dhe dyshim për rezultatin e dialogut.

“Po flasim me Afganistanin, si me qeverinë edhe me talebanët. Diskutimet duken të mira dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk po besoj askënd. Është një situatë e tmerrshme në Afganistan dhe ka qënë për shumë vite.”

Talebanët dhe negociatorët amerikanë kanë pohuar vazhdimisht ditët e fundit se janë gati të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje. Por të dy palët thonë se ende duhen diskutuar disa detaje.