Kina, protestat në Hong Kong dhe opinioni publik

Tre gjigantë të mediave sociale amerikane - Facebook, Twitter dhe YouTube, e cila është pjesë e kompanisë Google, morën masa për të hequr qindra llogari që mendohet të jenë të lidhura me përpjekjet e qeverisë kineze për manipulimin e opinionit rreth protestave antiqeveritare në Hong Kong.

Por analistët thonë se duhet të bëhet më shumë, pasi fushata e medias globale kineze për të kontrolluar informacionin përtej kufijve të saj është bërë aq agresive saqë paraqet një kërcënim për zhvillimin demokratik dhe lirinë e shtypit në të gjithë botën.

YouTube tha javën e kaluar se ka pezulluar 210 kanale, të cilat "vepronin në mënyrë të koordinuar duke ngarkuar video në lidhje me protestat e Hong Kongut." Këto kanale dyshohet se ishin pjesë e një fushate të mbështetur nga Pekini për të ndikuar opinionin lidhur me trazirat politike në Hong Kong.

Këto masa pasojnë hapa të ngjashme të njoftuara nga Twitter dhe Facebook javën e kaluar për të mos lejuar shpërndarjen e dezinformatave, për shembull, duke krahasuar protestat antiqeveritare në Hong Kong me grupin terrorist të Shtetit Islamik.