Shtetet e Bashkuara po festojnë Ditën e Punëtorëve, një festë e përvitshme amerikane që shënohet të hënën e parë të shtatorit. Për shumë amerikanë, kjo është një mundësi më shumë për të shijuar ditët e fundit me mot të nxehtë gjatë fundjavës së gjatë tri-ditëshe.
Zanafilla e festës gjendet në vitet 1880 kur pati një trysni në rritje për të njohur meritat dhe kontributet e punëtorit amerikan dhe për të krijuar një mjedis më të sigurtë e më njerëzor jetese e pune për të. Në atë kohë dita e punës zgjaste 12 orë dhe në radhët e punëtorëve gjeje edhe fëmijë që nga mosha 5 vjeç.
Falë kësaj trysnie gjatë dekadave që pasuan u miratuan ligje për të reduktuar ditën e punës në tetë orë, për të miratur javën pesë-ditëshe dhe punëtorët filluan të organizohen në sindikata.
Sot kjo ditë njihet jo-zyrtarisht si përfundimi i sezonit të pushimeve verore. Njerëzit e shfrytëzojnë fundjavën e gjatë për të shkuar edhe një herë në plazh apo për piknike, për grumbullime me familjet. Bizneset ofrojnë ulje çmimesh. Në shumë shtete nesër rihapen shkollat dhe fillon viti shkollor.