Forcat siriane dhe ato kurde avancojnë drejt kufirit me Turqinë

  • Richard Green

Një ditë pas marrëveshjes së arritur midis forcave siriane dhe atyre kurde për të lëvizur drejt kufirit me Turqinë, forcat siriane hynë në një qytet pranë kufirit turk, duke filluar kështu zbatimin në terren të saj. Ndërkohë Presidenti amerikan Donald Trump akuzoi në një postim në Twitter forcat kurde, se po lirojnë luftëtarët e ISIS-it nga burgjet, që të nxisin përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në luftime. Ai vazhdon ta quajë njëlëvizje të mençur, tërheqjen e trupave amerikane nga veriu i Sirisë ndërsa paralajmëron sanksione të mëdha për Turqinë.

Ndërkohë dy udhëheqës kryesorë të Kongresit, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe senatori republikan Lindsey Graham ranë dakord gjatë një bisedë telefonike mbi nevojën për një veprim të shpejtë për të dënuar sulmet e Turqisë ndaj luftëtarëve kurd.

Zonja Pelosi bëri thirrje për miratimin e një rezolute në Kongres për anulimin e menjëhershëm të vendimit të presidentit lidhur me Sirinë, vendim të cilin e cilësoi si të rrezikshëm. Zoti Graham tha se ai do të punojë me demokratët për hartimin e sanksioneve dhe përparimin e shpejtë mbi këtë çështje.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA, raportoi për hyrjen e trupave siriane dhe kurde në Tal Tamr, rreth 20 kilometra nga kufiri, me qëllim të konfrontimit me agresionin e turqëve, lëvizje këto të mirëpritura nga banorët.

Presidenti francez Emannuel Macron dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, shprehën domosdoshmërinë e koordinimit për të ndaluar Turqinë të shkaktojë atë që ata e quajnë situatë të papërballueshne humanitare.

Marrëveshja midis kurdëve, sirianëve dhe rusëve që janë aleati kryesor i Sirisë, erdhi katër ditë pas operacionit të forcave turke kundër kurdëve në veri të Sirisë, pasi SHBA tërhoqi pothuajse të gjitha trupat nga vendi.Turqia i sheh luftëtarët kurdë si terroristë të lidhur me separatistët në Turqi.

Ndërhyrja ushtarake ka shkaktuar viktima civile. Por ky nuk është problemi i vetëm i shkaktuar nga konflikti.

Rojet kurde të burgjeve, për shkak të luftimeve po lënë pa mbikëqyrje luftëtarët e ISIS-it, një pjesë e të cilëve veç kanë ikur nga kampet ku po mbaheshin bashkë me familjet e tyre, thonë zyrtarët e kurdëve sirianë.

Por, këto deklarata duket se nuk e kanë bindur Presidentin amerikan, Donald Trump, i cili në një postim në Twitter akuzoi kurdët për lirim të pjesëtarëve të ISIS-it.

“…Kurdët mund të lirojnë disa, sa për të na pëfshirë neve. Lehtësisht mund të rikapen nga Turqët ose vendet evropiane prej nga kanë ardhur, por duhet veprim i shpejtë. Po vijnë sanksione të mëdha për Turqinë! A mendojnë vërtetë njerëzit se ne duhet të hyjmë në luftë me anëtarin e NATO-s Turqinë? Luftërat që nuk kanë fund do të përfundojnë”, shkruajti sot Presidenti Turmp në llogarinë e tij në Twitter.

Po sot përmes llogarisë së tij në Twitter, Presidenti Trump tha se “të njëjtët njerëz që përfshinë Shtetet e Bashkuara në kaosin e Lindjes së Mesme, janë ata që po kërkojnë nga ne të qëndrojmë atje”.

Ai akuzon gjithashtu vendet e Evropës se provuan t’ia faturojnë Shteteve të Bashkuara çmimin e kthimit të luftëtarëve të ISIS-it, të cilët thotë se kanë mundur deri tani t’i marrin në vendet e tyre.

Ndërkohë, Presidenti francez, Emannuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel thanë në një konferencë të përbashkët se Turqia rrezikon të shkaktojë një krizë të papërballueshme humanitare.

“Në njërën anë, kjo ofensivë rrezikon të krijojë një krizë humanitare, të cilën veç mund ta shohim. Në anën tjetër, rrezikon të ndihmojë rishfaqjen e Shtetit Islamik në rajon. Ashtu siç e njoftuam Turqinë se ne do ta ndërpresim shitjen e armëve, vazhdojmë të jemi të koordinuar për nisma të tjera në orët dhe ditët në vazhdim”, tha Presidenti francez Emannuel Macron.

“Sot bisedova për një orë me Presidentin Erdogan. Sigurisht duhet të kemi në kosnideratë interesin e Turiqës për siguri, por gjithashtu mendojmë se duhet të pengojmë ndërhyrjen turke, për arsye humanitare. Nuk mund ta pranojmë këtë situatë, prandaj duhet të gjejmë zgjidhje”, tha Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kurdët thonë se ndihen të braktisur nga Shtetet e Bashkuara, pasi luftuankrah për krah me forcat amerikane kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik në Siri. Ata besojnë se bota arabe dhe këshilli i sigurimit i Kombeve të Bashkuara po i injoron.

Presidenti Trump tha se po punon me udhëheqësit e Kongresit, duke përfshirë edhe demokratët e opozitës, në vendosjen e sanksioneve të fuqishme ekonomike kundër Turqisë.