Projekt i organizatës World Vision në Shkodër

  • Pëllumb Sulo

Your browser doesn’t support HTML5

Pjesë e panairit “Promovimi i produkteve agropërpunuese”, hapur në qytetin e Shkodrës, janë edhe organizatat “World Vizion” dhe “Gruaja në Integrim”, të cilat po zbatojnë në Veri të Shqipërisë projektin e financuar nga Bashkimi Europian “Të rinjtë përkrahin të drejtat e njeriut”. Këto organizata kanë zgjedhur shkollën e mesme pyjore në qytetin e Shkodrës, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, për të nxitur të rinjtë të angazhohen në përmbushjen e të drejtave të tyre përmes punës dhe angazhimit në komunitet.

Përfaqësuesja e “World Vision” Etleva Paplekaj tha se kjo organizatë ka mbështetur në fazën e parë 9 organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, mes të cilave është edhe shoqata “Gruaja në Integrim”. Projekti bën të mundur zbatimin e një prej të drejtave kushtetuese, që është e drejta e punësimit. Është bërë i mundur trajnimi i të rinjve të shkollës profesionale dhe lidhja e marrëveshjes me biznese, në mënyrë që të rinjtë të bëjnë praktikën. Dhe tani, në këtë panair, po promovohen produktet që janë bërë nga këta studenta.

Përfaqësuesja e shoqatës “Gruaja në Integrim”, Artrida Ferketi, thotë se synimi është që të rinjtë, që ndjekin arsimin professional, të integrohen drejt tregut të punës.

Në këto kohë, trendi i të rinjve është për tu larguar nga Shqipëria dhe është arsimi profesional që mund t’u sigurojë një punësim në vendin e tyre. Ideja jonë ishte që projektin ta zbatonim me shkollën pyjore sepse ne synojmë që nxënësit, që ndjekin arsimin profesional, të integrohen në tregun e punës. Dhe sot, panairi synon jo vetëm reklamimin e produkteve që krijojnë këta nxënës në shkollën e tyre, në bazat prodhuese, por edhe i gjithë komuniteti të njihet me degët që të rinjtë ndjekin në këtë shkollë.

Inxhinjeria Majlinda Zekja thotë se është e rëndësishme që të rinjtë të mbështeten jo vetëm nga shkolla, por edhe biznesi dhe organizatat joqeveritare në procesin e integrimit të tyre në treguen e punës.

Në bashkëpunim me projektin e “World Vision” dhe “Gruaja në Integrim” ne arritëm të marrim pjesë në këtë panair. Shkolla jonë është e një profili të veçantë, ka dy degë; pyjet dhe përpunim drurin, dhe nxënësit tanë, duke qenë në këto dy degë, kanë arritur me këto objekte që ju i shikoni në këtë panair.

Etleva Paplekaj thotë se të rinjtë kanë nevojë të përfshihen më shumë në vullnetarizëm dhe ky është njeësynim tjeter i rëndësishëm i projektit qe po zbaton “World Vizion”.

Duke parë mungesën e vullnetarizmit dhe mungesën e përfshirjes së rinisë në promovimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtje e tyre, ne synojmë që të kemi një rini aktive dhe kjo shprehet në atë që është realizuar në këtë projekt; shërbimi në komunitet. Të rinjtë kanë shkuar pranë shtëpive të fëmijëve dhe azilit të pleqve dhe punimet e tyre do të shkojnë për shkollën “3 Dhjetori”

Punimet e nxënësve të shkollës së mesme pyjore në Shkodër do t’i dhurohen shkollës speciale “3 Dhjetori”, ku mësojnë fëmijët me aftësi të kufizuara nga disa prej rretheve veriore të Shqipërisë.