Kinë: Numri i të vdekurve nga koronavirus, mbi 1,100

Zyrtarët kinezë të shëndetësisë njoftuan të mërkurën se numri i të vdekurve nga koronavirusi ka arritur në më shumë se 1,100.

Shifrat e Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë përfshijnë 97 vdekje të reja dhe gjithsej 44,653 njerëz të konfirmuar si të infektuar që nga shpërthimi i koronavirusit muajin e kaluar. Disa ekspertë kanë hedhur dyshime nëse ky është numri i plotë i rasteve.

Nëse shifrat janë të sakta, kjo mund të linte vend për një farë optimizmi sepse 2,105 rastet e reja të konfirmuara të martën, shënojnë një nivel më të ulët se sa ato të raportuara ditët e mëparshme.

Shumica e rasteve me koronavirus janë brenda Kinës, por ka disa qindra të infektuar në dhjetëra vende të tjera, zakonisht pas udhëtimit nga Kina.

Kina ka izoluar disa zona të banuara për të ndalur përhapjen e virusit.