Rusi: Bie besimi tek Presidenti Putin

Besimi i rusëve tek Presidenti Vladimir Putin ka rënë në nivelin më të ulët të gjashtë viteve të fundit, megjithëse miratimi i tij në publik mbetet ende i lartë, sipas një sondazhi të organizatës anketuese Levada, i publikuar të mërkurën

Miratimi i publikut për Presidentin Putin ra ndjeshëm pas masës jopopullore të vitit 2018 për të rritur moshën e pensionit dhe pas uljes së vazhdueshme të të ardhurave, por është stabilizuar muajt e fundit dhe është rritur paksa duke arritur në 68 për qind, sipas anketës.

Megjithatë, besimi i publikut te Putini ka vazhduar të bjerë dhe në janar arriti në 35%, një rënie e mprehtë krahasuar me vitin 2017, sipas anketuesve.

Denis Volkov, sociolog i organizatës, tha se niveli në janar ishte më i ulti që nga viti 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë, gjë që solli rritjen e miratimit të publikut për presidentin rus.

Presidenti Putin ka dominuar peisazhin politik të Rusisë si president ose kryeministër që kur erdhi në pushtet në vitin 1999. Mandati i tij i tanishëm në Kremlin përfundon në 2024, por muajin e kaluar ai shpalli ndryshime të mëdha kushtetuese që shihen gjerësisht si mjet për ta ndihmuar të zgjasë kontrollin e tij mbi pushtetin edhe pasi të largohet nga posti.

Levada tha se sondazhi u krye mes 23 dhe 29 janarit dhe se u anketuan gjithsej 1,603 njerëz në të gjithë Rusinë.