Tiranë: Ambasadorja amerikane bëri thirrje për rezultate në luftën ndaj korrupsionit

Në Shqipëri, prokurori i ri i përgjithshëm organizoi një konferencë mbi reformën në sistemin e drejtësisë me prokurorë dhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë.

Pas ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë, pohuan diplomatët amerikanë dhe europianë, tani priten më shumë rezultate në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Your browser doesn’t support HTML5

Tiranë: Reforma në drejtësi dhe sfida e goditjes së krimit

Ambasadorja e SHBA-ve n Shqipëri, Yuri Kim, u bëri sot thirrje institucioneve të reja të drejtësisë shqiptare që të ndërtojnë bashkëpunimin për të çuar përpara drejtësinë shqiptare.

Ajo i bëri këto komente në konferencën mbi sfidat e prokurorit të përgjithshëm në vazhdën e reformimit të sistemit gjyqësor.

“Ngritja e Zyrës Speciale të Prokurorisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve është një hap themelor dhe shumë i rëndësishëm drejt funksionimit të SPAK për të zhvilluar hetimet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Si një anëtare e NATO-s dhe si kandidate për në BE, Shqipëria duhet të ndërtojë mbizotërimin e ligjit. Kjo nuk është një zgjedhje, kjo është një kërkesë, e cila duhet plotësuar. I duhet dhënë fund korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë; këto janë pengesat që Shqipëria të bëhet më e mirë dhe ai magneti që duhet të jetë për të tërhequr investime” - tha ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim. Ajo siguroi prokurorinë shqiptare për mbështetjen amerikane në rrugën e forcimit të ligjit, ndërsa kërkoi një goditje më të forta ndaj korrupsionit.

Ndërsa ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, tha se ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë është vetëm fundi i fillimit të reformës shqiptare në sistemin e drejtësisë. Më pas pritshmëritë për rezultate në luftën ndaj krimit janë të larta tani që prokuroria është bërë më e paanshme dhe më profesionale, tha ai.

“Pak vite më parë prokurorët emëroheshin nga politika, ndërsa tani pas reformës gjyqësore prokurori i përgjithshëm u zgjodh me votim midis disa kandidatëve magjistratë, që konkurruan për këtë post. Ndërhyrjet politike janë përherë e më ulëta, ndërsa një numër juristësh të rinj i kanë hyrë karrirerës për këtë sistem. Efikasiteti duhet tani nga zyra e prokurorit e përgjithshëm në luftën kundër pastrimit të parasë, shtetëzimin e pasurive kriminale; këto duhet të përparojnë”, tha ambasadori Soreca.

BE është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë me gjithçka me njerëz të kualifikuar dhe me fonde, siç ka bërë deri tani me 34 milionë euro për reformat e fushës së drejtësisë, tha ai.

Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt, tha se procesi i vetingut është vecanërisht një sukses me përzgjedhjen e më të mirëve mes shumë punonjësve të drejtësisë, pasuar nga ngritja e SPAK dhe BKH.

“Shqipëria është në rrugën e duhur të forcimit të ligjit dhe rregullit, të përmirësimit të cilësisë së demokracisë, dhe po ecën drejt integrimit europian” - tha ambasadori Borchardt.

Reforma në sistemin e drejtësisë dhe rezultatet konkrete në luftën ndaj krimit të organizuar janë ndër kërkesat kryesore të qytetarëve shqiptarë dhe institucioneve ndërkombëtare që vëzhgojnë ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.