Uashingtoni përpiqet të blejë kërkimet e një firme gjermane për vaksinën e koronavirusit

Gjermania po përpiqet të mos lejojë Uashingtonin të bindë një kompani lokale që po kryen hulumtime për një vaksinë të koronavirusit për t’i transferuar kërkimet e saj në Shtetet e Bashkuara, duke bërë që politikanët gjermanë të këmbëngulin se asnjë vend nuk duhet të ketë monopol mbi ndonjë vaksinë të ardhshme.

Ministria gjermane e Shëndetësisë konfirmoi një njoftim në gazetën Welt am Sonntag, se Presidenti Donald Trump kishte ofruar fonde për të joshur kompaninë “CureVac” në Shtetet e Bashkuara dhe se qeveria gjermane po bënte një kundër-ofertë për ta bindur kompaninë për të qëndruar.

"Qeveria gjermane është shumë e interesuar të sigurojë që vaksina dhe substancat aktive kundër koronavirusit të ri zhvillohen gjithashtu në Gjermani dhe Evropë” citoi gazeta të ketë thënë ministri i shëndetësisë.

"Në këtë drejtim, qeveria është në biseda intensive me kompaninë CureVac." konfirmoi ministria gjermane e shëndetësisë për Reuters.

Welt am Sonntag citoi një burim të paidentifikuar të qeverisë gjermane të ketë thënë se Presidenti Trump po përpiqej të siguronte ekskluzivisht punën e shkencëtarëve dhe do të bënte gjithçka për të marrë një vaksinë për Shtetet e Bashkuara, "dhe vetëm për Shtetet e Bashkuara".

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga ambasada amerikane në Berlin, dhe askush nuk ishte në gjendje të komentonte për kompaninë CureVac.

Florian von der Muelbe, shefi i operacioneve të prodhimit dhe bashkëthemelues i kompanisë CureVac, i tha agjencisë Reuters javën e kaluar se kompania kishte filluar me një mori variantesh për vaksinën e koronavirusit dhe tani ishte duke zgjedhur dy më të mirat për të kaluar në prova klinike.

"Ekzistojnë faza të ndryshme klinike dhe pastaj natyrisht që varet nga rezultatet. Kjo nuk është në dorën tonë, por më pas vendoset përmes organeve rregullatore se sa shpejt është i mundur miratimi për tregun".

Kompania private me qendër në Tuebingen të Gjermanië shpreson të ketë një vaksinë eksperimentale gati deri në qershor ose korrik për të kërkuar më pas miratimin nga rregullatorët për testimin në njerëz.

CureVac, mes kompanive të financuara nga Koalicioni për Inovacione të Përgatitjes Epidemike (CEPI), tha se mund të prodhojë një imunizim në masë ndaj koronavirusit në objektet e saj ekzistuese nëse qasja me dozë të ulët provon të jetë e suksesshme në provat klinike.

Curevac, e cila mori gati 8.3 milion dollarë nga Koalicioni CEPI në janar, po punon me teknologjinë e saj të dozave të ulta të vaksinës, e cila ka treguar rezultate premtuese në një provë në fazat e hershme me vaksinën kundra tërbimit që mund të përdoret gjithashtu kundër koronavirusit.

Von der Muelbe i tha agjencisë Reuters se një model veprimi që lejon një dozë të ulët të shkaktojë një reagim të sistemit imunitar kundër tërbimit do të zbatohej gjithashtu në vaksinën e koronavirusit. Ai tha se mund të prodhohen deri në 10 milion doza për fushatën e prodhimit.

"Ne kemi fituar tashmë eksperiencë me vaksinat e tjera profilaktike, për shembull me atë të tërbimit dhe kemi parë rezultate premtuese. Mbi këtë bazë po zhvillojmë tani vaksinën e re. Ne tashmë kemi një proces platformë ku mund të përgjigjemi shpejt ndaj kërcënimeve të reja. Pra besojmë se kjo teknologji është një mënyrë e mirë për të dhënë zgjidhje të shpejta".

Një fushatë, apo cikël prodhimi, zakonisht zgjat disa javë, saktësoi një zëdhënës. Për të imunizuar një person mund të jetë e nevojshme më shumë se një dozë, por një cikël prodhimi do t’u shërbente disa miliona njerëzve, shtoi ai.

CureVac specializohet në të ashtuquajturat molekula të ARN-së që udhëzojnë qelizat njerëzore të prodhojnë proteina terapike që shkaktojnë një reagim të sistemit imunitar kundër kancerit ose sëmundjeve infektive.

Në këtë fushë, ajo konkurron me firmën amerikane Moderna, e cila gjithashtu po merr fonde nga CEPI, si dhe me rivalin gjerman BioNTech, të cilin Pfizer e ka identifikuar si një partner të mundshëm bashkëpunimi.

Zyrtarë të lartë amerikanë të Shëndetit kanë thënë se do të duhen deri në 18 muaj për të prodhuar një vaksinë kundër patogjenit.