Itali: Dita e dytë e rënies së numrit të vdekjeve nga koronavirusi

Italia, e cila po vuan pasojat më rënda të koronavirusit, raportoi të martën për të dytën ditë radhazi një numër më të vogël infektimesh.

Ndërkaq, të 601 vdekjet e regjistruara të hënën janë ende një shifër e zymtë, por një përmirësim nga mbi 800 që ishin të shtunën.

Italia ka raportuar më shumë se 6,000 të vdekur dhe ka numrin e dytë më të lartë të infektimeve pas Kinës. Zyrtarët bllokuan lëvizjet në të gjithë vendin dy javë më parë me shpresën për të ndalur përhapjen e virusit që ka arritur pothuajse në çdo vend të planetit.

Koreja e Jugut, që ishte një nga vendet më të goditura, po tregon përparim të vazhdueshëm, duke raportuar të martën një rritje me vetëm 76 të rasteve të reja. Kjo ishte dita e 13-të me radhë me nën 100 raste.

Ndërkohë, Kina vazhdon të raportojë përmirësim me vetëm katër raste të reja të martën. Zyrtarët thanë se njerëzit e shëndetshëm në provincën Hubei, qendra e shpërthimit, do të jenë në gjendje të largohen nga zona pas dy muajsh bllokimi. Kryeqyteti i provincës, Wuhan, do të shohë të njëjtin lehtësim në fillim të prillit.

Por shqetësimet vazhdojnë për një rikthim të virusit në Kinë, për shkak të rasteve mes njerëzve që vijnë nga vende të tjera në botë. Kina raportoi të martën 74 raste të tilla.

Këto shqetësime kanë bërë që qeveritë në të gjithë botën të vendosin kufizime të udhëtimeve.