Roli i Kinës në krizën e koronavirusit, temë e fushatës zgjedhore në SHBA

  • Brian Padden

Njoftimet se Kina nuk informoi apo keqinformoi për përmasat e vërteta të koronavirusit në qytetin kinez të Wuhanit po bëhet një temë e nxehtë në fushatën për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Si Presidenti Donald Trump ashtu edhe rivali i tij demokrat, Joe Biden, kanë nxjerrë reklama fushate duke akuzuar njëri-tjetrin për qëndrim të butë ndaj mënyrës se si e menaxhoi Kina, pandeminë.

Ekipi i fushatës për rizgjedhjet e Presidentit Trump, nxorri së fundmi një reklamë me tema të ngjashme me ato të fushatës së vitit 2016, duke sulmuar Kinën dhe akuzuar rivalin e tij demokrat, ish-nënpresidentin Joe Biden, për korrupsion.

“Meqenëse funksionoi herën e kaluar, ata me siguri mendojnë se ka një shans të funksionojë edhe këtë radhë”, thotë Matt Grossman, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

Zoti Trump fitoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, pjesërisht duke fajësuar Kinën për humbjen e vendeve të punës në prodhim dhe duke akuzuar kandidaten demokrate, Hillary Clinton për lidhje korruptive me interesat e korporatave.

Reklama e fushatës së Presidentit Trump e vë theksin tek kontrasti mes vendimit të Presidentit për të ndërprerë udhëtimet nga Kina për të frenuar përhapjen e koronavirusit dhe kundërshtimit të rivalit të tij, Biden për ta bërë një gjë të tillë, si edhe e cilëson atë si i komprometuar financiarisht, bazuar në akuzat e paprovuara se djali i tij Hunter Biden, “nënshkroi një marrëveshje 1 miliardë dollarëshe” me një biznes shtetëror kinez.

Para pandemisë së koronavirusit, rritja e fuqishme ekonomike kishte qenë temë kryesore e fushatës së Presidentit Trump.

Tani, mbylljet e bizneseve të shumta për të ngadalësuar përhapjen, kanë lënë miliona amerikanë të papunë.

Sipas anketave, mbështetja për presidentin ka rënë për shkak të asaj që shumica e amerikanëve e shohin si menaxhim kontradiktor i krizës shëndetësore dhe ekonomike.

Zoti Trump dhe republikanët në Kongres këmbëngulin se Kina duhet të përballet me pasojat për fshehjen përmasave të krizës së COVID-19 dhe përhapjen e informacionit të rremë se virusi e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara.

Por kritikët e Presidentit Trump e shohin këtë linjë mesazhesh si një përpjekje për të larguar vëmendjen nga reagimi i ngadaltë i Shteteve të Bashkuara ndaj pandemisë që ka shkaktuar vdekjen e mbi 45 mijë amerikanëve.

“Administrata e Presidentit Trump lë të kuptohet se nëse Kina do të kishte qenë plotësisht transparente, Shtetet e Bashkuara do të kishin qenë plotësisht strategjike në përgjigjen e tyre. Dhe ne e dimë që kjo nuk është e vërtetë”, thotë Robert Daly, analist në Qendrën Wilson.

Kritikët thonë se ndërsa zoti Trump dhe familja e tij akuzojnë zotin Biden për afera korruptive , ata nuk janë transparentë lidhur me bizneset e tyre në gjithë botën, duke vënë në dukje se presidenti nuk i ka bërë publike pagesat e taksave.

Por argumennti i Presidentit Trump se pasuria e tij personale në fakt e bën atë imun ndaj ndikimeve të huaja, rezonon me shumë nga përkrahësit e tij.

“Është një strategji e zakonshme populiste, të thuash ‘ata janë të gjithë të korruptuar, edhe unë isha, por unë do të jem i korruptuar në emrin tuaj’”, thotë Profesor Grossman.

Fushata e zotit Biden, është kundërpërgjigjur me një reklamë të vetën, ku akuzohet presidenti Trump se injoroi njoftimet e hershme të zbulimit për rrezikun e koronavirusit dhe se vlerësoi presidentin kinez Xi JInping në mes të krizës, për të shpëtuar marrëveshjen tregëtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Të dyja fushatat po e kritikojnë ashpër Pekinin, duke reflektuar zemërimin publik në rritje në Shtetet e Bashkuara ndaj Kinës, si vendi i prejardhjes së virusit që po infekton miliona, duke shkaktuar paralizimin e ekonomisë në pjesën më të madhe të botës.