Kosovë, nga 4 maji fillon lehtësimi i kufizimeve

  • Leonat Shehu

Autoritetet në Kosovë shpalosën të enjten planet për lehtësimin e kufizimeve për lëvizjen e qytetarëve dhe hapjen e disa bizneseve, pas rënies së numrit të të prekurve nga COVID-19.

Në një konferencë me gazetarë, ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia tha se për herë të parë për tri ditë radhazi, numri i të shëruarve tejkalon numrin e të infektuarve dhe ky është, sic tha ai, një pëprarim i rëndësishëm që mundëson lehtësimin e disa masave.

“Faza e parë do të fillojë më 4 maj, pra të hënën dhe planifikohet të vazhdojë deri më datën 18 maj. Gjatë kësaj periudhe do të zgjerohet orari i lëvizjes së qytetarëve nga 1.5 në 3 orë në dy orare, paradite dhe pasdite. Brenda këtyre dy orareve jemi përkujdesur që secila kategori të ketë mundësi të kryej të gjitha shërbimet e nevojshme. Gjithashtu hapen këto pjesë të ekonomisë; ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve pjesërisht, tregtia me pakicë shumica e tyre, riparimi i artikujve personal dhe orendive, zyrat e konsulencës me listën e stafit esencial”, tha ministri Vitia.

Sipas planit të autoriteteve faza e dytë planifikohet të fillojë me 18 maj dhe vazhdon deri me datën 1 qershor, por gjithçka do të varet nga situata epidemiologjike.

“Tani jemi në një situatë ku lakorja e virusit dhe mesatarja e të prekurve na lejon që të relaksojmë kufizimet por assesi dhe në asnjë mënyrë të neglizhojmë rrezikshmërinë. Pakujdesia dhe neglizhenca do të na kthejnë mbrapa duke rrezikuar jo vetëm jetën dhe shëndetin e të gjithë por edhe mirëqenien ekonomike”, tha ministri Vitia.

Ai tha se çdo hap do të vëzhgohet me kujdes dhe se nëse rritet numri i infektimeve do të kthehen sërish masat. Ministri Vitia tha se këto janë masat e reja për t’u kthyer në një normalitet të ri.

“Përkundër progresit që kemi shënuar këto ditë ne nuk e kemi zhdukur virusin, ai do të vazhdoj të jetë mes nesh prandaj edhe pse do të donim të ishim optimist as tek ne por askund tjetër në botë nuk do të kemi një situatë normale siç jemi mësuar ta kemi më herët sepse ky nuk do të jetë një vit normal, ky vit nuk është si çdo vit tjetër dhe sa më parë që e kuptojmë këtë aq më lehtë do ta kemi edhe ta përballojmë edhe ta kalojmë më shpejt”, tha ai.

Deri në mbrëmjen e së mërkurës numri i të prekurve arriti në 799 persona, nga të cilët 22 kanë humbur jetën, ndërsa janë shëruar 249.