Francë: Demonstrata kundër dhunës policore, frymëzuar nga protestat në SHBA

  • Lisa Bryant

Si shumë vende të tjera, Franca po përjeton një zgjim social mbi çështje si dhuna policore dhe shenjestrimi mbi baza racore të nxitura nga vdekja e George Floyd në Shtetet e Bashkuara. Në pjesën veriore të Parisit një grup juristësh dhe aktivistësh po punojnë me të rinj që t’u mësojnë mbi të drejtat e tyre dhe si të reagojnë në kontaktet me policinë dhe komunitetet ku jetojnë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Bryant njofton nga Parisi:

Dy herë në javë një qendër komuniteti në një periferi të Parisit hap dyert për të rinjtë e lagjes, duke u ofruar vend ku të mblidhen dhe ku të marrin këshilla:

Omer Mas Capitolin, shoqata “Maison Communautaire pour Development”

“Përpiqemi t’i ndihmojmë këta të rinj të kuptojnë si shfaqet kontrolli policor, çfarë është e paligjshme dhe si ndikon te e ardhmja e tyre; nuk është normale që ata të shenjestrohen thjesht nga pamja,” thotë Omer Mas Capitolin, themelues i shoqatës, “Maison Communautaire pour Development”.

Në këtë lagje dhe zona të tjera të varfra të Parisit, marrëdhëniet mes policisë dhe të rinjve të zonës kanë më shumë gjasa të precipitojnë në skena të rrezikshme. Ky problem ka ekzistuar prej kohësh. 15 vjet më parë, lagje me shumicë të varfër u përfshinë nga trazirat, pasi dy të rinj u vranë kur po përpiqeshin t’u iknin policëve.

Gjatë masave kufizuese të koronavirusit, aktivitët thonë se të rinj me ngjyrë apo prejardhje arabe u shenjestruan me ritme më të larta nga policia për kontrolle dhe masa të tjera.

Në prill, në disa periferi të Parisit plasën protesta të dhunshme, pasi një motoçiklist u lëndua kur u përplas me një makinë policore:

“Përjetuam një periudhë shumë të tensionuar gjatë izolimit të pandemisë. Policia na ndiqte, na kontrollonte, na vinte gjoba pa u menduar fare,” thotë një student.

Tani, pas vdekjes së George Floyd në Shtetet e Bashkuara, duket se është ndezur një revoltim i grumbulluar prej kohësh. Mijëra vetë po sfidojnë masat e distancimit fizik duke organizuar tubime me thirrjet për drejtësi.

Një tjetër emër që përmendet në protesta është 24-vjeçari Adama Traore, i cili vdiq në 2016 pasi u ndal nga policia. Ka shpjegime të ndryshme për vdekjen e tij por familja e viktimës i krahason shkaqet me rastin e George Floyd.

Ashtu si në Shtetet e Bashkuara, protestat nxiten nga shkaqe të tjera përveç dhunës policore:

“Kam ardhur këtu për shumë arsye: pabarazi dhe racizëm kundër popullatës me ngjyrë, dhunë policore. Duam më shumë të drejta,” thotë protestuesi Fidel Nzezi.

Autoritetet franceze thonë se nuk do të lejojnë përdorimin e taktikave për ndalimin e të dyshuarit duke e shtrënguar me krah për fyti. Ata zotohen se nuk do të ketë aspak tolerancë për abuzime nga policët. Por autoritetet këmbëngulin se nuk ka racizëm si pjesë e sistemit të ruajtjes së rendit.

Aktivistët thonë se përgjigja e autoriteteve ka qenë e pamjaftueshme:

“Ata e interpretojnë këtë si një problem individual, pra ka ca individë negativë në radhët e policisë. Por në fakt kërkohet një mendësi e re për policinë, një mision i ri, ndryshime në kornizën ligjore, kërkesë llogarie. Pra nevojiten reforma strukturore institucionale, jo masa të vogla,” thotë juristja Lanna Hollo.

Policët francezë u trajtuan si heronj disa vjet më parë, kur gjatë një seri sulmesh terroriste sakrifikuan jetën për të mbrojtur të tjerët. Situata shfaqet krejt ndryshe në këto kohë.

Sot publiku në Francë është i ndarë lidhur me ndikimin që do të kenë protestat për të ndryshuar praktikat policore. Por shumë francezë shpresojnë se, ashtu si në Shtetet e Bashkuara, po shohin fillimin e një diskutimi të hapur dhe më të gjerë për diskriminimin dhe racën.