Strategji të ndryshme nga fushatat e Presidentit Trump dhe demokratit Biden

Edhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Por tani që pandemia e koronavirusit po i pengon planet për tubime, fushata e kandidatit Donald Trump ka kaluar në ofensivë, me shpenzime masive për reklama. Presidenti Trump po përdor gjithashtu ceremoni apo konferenca shtypi në Shtëpinë e Bardhë si mundësi për të dhënë mesazhin e tij të fushatës. Ndërkohë, rivali i tij demokrat, Joe Biden, po i kufizon udhëtimet dhe konferencat e tij të shtypit. Korrespondentja jonë pranë Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara u hedh një vështrim strategjive të ndryshme që po ndjekin kandidatët.

Your browser doesn’t support HTML5

Strategji të ndryshme nga fushatat e Presidentit Trump dhe demokratit Biden

Në reklamat e fushatës së Presidentit Trump shfaqet një kandidat në ofensivë që e sulmon rivalin e tij me një mesazh negativ.

Meqenëse tubimet e fushatës janë shtyrë për shkak të pandemisë, zoti Trump po mbështetet tek reklamat dhe aktivitetet presidenciale në betejën me rivalin e tij, kandidatin e pritshëm demokrat, Joe Biden, i cili kryeson në shumicën e sondazheve.

Në njoftimin e politikës për Kinën në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha se "Biden vazhdimisht vë Kinën mbi Amerikën”.

Ndërsa duke folur për infrastrukturën në Atlanta, ai tha se: "Biden është i kënaqur që i rëndon projektet me burokraci. Ndërsa ne duam që gjërat të bëhen”.

Ashtu si Presidenti Trump, edhe paraardhësit e tij kanë shfrytëzuar atë që njihet si "Strategjia e Kopshtit të Trandafilave", duke përdorur aktivitetet presidenciale në Shtëpinë e Bardhë për të nxjerrë në pah arritjet e tyre në një vit zgjedhor.

"Por nëse përdor një ngjarje si kjo, ose një konferencë për shtyp, ajo duhet të ketë lidhje me një njoftim zyrtar. Nëse përdor 90 për qind të kohës për të sulmuar rivalin politik, atëherë kjo nuk është mënyra se si kanë vepruar presidentët e mëparshëm," thotë studiuesi i politikës Norman Ornstein.

Ndërkohë, kandidati Biden po i kufizon udhëtimet e fushatës dhe konferencat e shtypit, duke qëndruar në shtëpinë e tij në Delaware.

"Ekspozimi i kufizuar i zotit Biden, duke lejuar Presidentin Trump të dominojë lajmet, në fakt ka funksionuar mjaft mirë për kandidatin demokrat, sepse Presidenti Trump nuk është përqëndruar te mesazhi i tij, shpesh ka bërë gabime, duke thënë gjëra që mund të përdoren me efektivitet kundër tij," thotë Thomas Schwartz, i Universitetit Vanderbilt.

Sondazhi i fundit i Universitetit Quinnipiac e tregon kandidatin Biden me një epërsi prej 52 përqind kundrejt 37 përqind të rivalit. Sondazhe tjera tregojnë një rezultat më të ngushtë.

Kjo, megjithëse fushata e zotit Biden ka shpenzuar shumë më pak për reklama sesa rivali Trump.

Reklamat e kandidatit demokrat kanë theksuar kryesisht nevojën për të bashkuar vendin në kohë krize, duke nënkuptuar se zoti Trump nuk po arrin ta bëjë këtë.