Gratë afrikano-amerikane, një bllok i fuqishëm votues

Gratë afrikano-amerikane prej kohësh kanë qenë votuese besnike të Partisë Demokrate. Por për breza të tërë kjo besnikëri nuk u kishte sjellë përfitime të dukshme, pasi nuk ka pasur asnjë guvernatore afrikano-amerikane, vetëm dy senatore dhe disa dhjetëra ligjvënëse. Tani gratë afrikano-amerikane janë mobilizuar duke kërkuar vëmendjen e partisë për përkrahjen e tyre.

Your browser doesn’t support HTML5

Gratë afrikano-amerikane, një bllok i fuqishëm votuesish

Bev Jackson kujton kohën kur në kinema kishte dy hyrje të ndryshme: një për të bardhë e një për afrikano-amerikanë.

"Vite më parë njerëz si ne duhet të hynin nga dera e pasme në kinema. Por shiko sa kanë ndryshuar gjërat tani,” thotë zonja Jackson, kryetare për grupin afrikano-amerikan të degës së Partisë Demokrate në komunën Kob të Xhorxhias.

Komuna Cobb në Xhorxhia ku ajo zhvillon aktivitet në emër të Partisë Demokrate, është transformuar: nga një zonë periferike besnike e republikanëve, në një komunitet ku një numër gjithnjë e më i madh afrikano-amerikanësh po demonstrojnë fuqinë e tyre politike.

Një pjesë e madhe e kësaj fuqie politike vjen nga gratë afrikano-amerikane, të cilat po kërkojnë vëmendje më të madhe nga Partia Demokrate për besnikërinë që kanë treguar gjatë vitetve. Në zgjedhjet e fundit një numër rekord grash afrikano-amerikane konkurruan në mbarë vendin në zgjedhje për Kongres si dhe për struktura shtetërore e komunale.

Charisse Davis, Anëtare e këshillit të arsimit në komunën Kobb në Xhorxhia thotë se vendosi të vinte kandidaturë pasi fitorja e Presidentit Trump në 2016 e bëri të ndjehej se ishte përmbysur çdo gjë që besonte:

"Duke e ditur se distrikti ynë shkollor ka një shumicë nxënësish afrikano-amerikanë dhe duke qenë e vetëdijshme se këshilli nuk e reflektonte këtë fakt, e ndjeva për detyrë të vija kandidaturë për të shtuar zërin tim në këtë diskutim,” thotë zonja Davis.

Gratë afrikano-amerikane janë një armë e fuqishme në fushatën presidenciale të kandidatit Joe Biden. Disa prej tyre po përmenden si kandidate për nënpresidente.

Përpjekja për një larmi më të madhe racore nuk mungon edhe në radhët e republikanëve. DeAnna Harris, e para afrikano-amerikane që kryeson shoqatën e të rinjve republikanë në komunën Kob, thotë se përparësia e saj kryesore është të zgjedhë më shumë afrikanë-amerikanë si politikanë republikanë:

"Kur edhe ana jonë të jetë më e larmishme nga ana racore, bëhet më e lehtë të bisedosh me afrikano-amerikanë të tjerë. E shohin që dukesh si ata, njerëzit tërhiqen nga kjo,” thotë DeAnna.

Partia Republikane, duhet të duket po aq e larmishme sa Amerika, por tani nuk jemi ende në atë pikë, thotë DeAnna.

Dega e Partisë Demokrate në Xhorxhia ka besim se entuziazmi që po shfaqet këto muaj para zgjedhjeve do të japë rezultate. Në këtë entuziazëm, zëri i grave afrikano-amerikane dëgjohet qartë, thotë Bev Jackson:

"Ato po thonë: nuk keni për të na trajtuar më si vota të garantuara. Ne jemi një bllok votuesesh besnike dhe aktive, por nuk do të lejojmë të lihemi në harresë“.