Joe Biden zgjedh Senatoren Kamala Harris si kandidate për nënpresidente

Në Shtetet e Bashkuara, Kandidati demokrat për president, Joe Biden deklaroi të martën se ka zgjedhur senatoren Kamala Harris, si kandidaten e tij për nënpresidente për zgjedhjet e 3 nëntorit 2020.

Zoti Biden dhe senatorja Harris, pritet të shfaqen të mërkurën për herë të parë që të flasin së bashku.

Është e para herë që një afrikano-amerikane zgjidhet si kandidate për nënpresidente nga njëra nga partitë kryesore.

Zoti Biden e bëri publike zgjedhjen e tij në faqen e tij të fushatës, që tashmë ka në faqen e pare emrat e zotit Biden dhe zonjës Harris dhe një fotografi të tyre, së bashku. Ai e njoftoi zgjedhjen e tij edhe në Twitter:

“Kam nderin e madh të njoftoj se kam zgjedhur Kamala Harrisin – një luftëtare e guximshme për të pafuqishmit dhe një nga zyrtarët më të mirë publikë – si kandidate për nënpresidente”, shkruan kandidati demokrat për president, Joe Biden.

Zoti Biden kishte premtuar se do të zgjidhte një grua me kualifikime të larta për postin. Së fundmi kishte pasur thirrje të shumta që ai të zgjidhte një afrikano-amerikane, ndërsa në të gjithë vendin u intensifikuan protestat për barazi racore.

“Besoj se një zgjedhje e tillë do t’i motivonte shumë votuesit afrikano-amerikanë dhe ndoshta ata të rinj që ndoshta nuk janë aq të entusiazmuar me kandidaturën e tij”, kishte thënë për Zërin e Amerikës Niambi Carter, profesore shkencash politike në Universitetin Howard.

Zoti Biden, përmendte gjithashtu edhe bashkëpunimin e Senatores Harris, që ka qenë Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë, me të birin e tij, Beau që ishte Prokuror i Përgjithshëm i Delauerës.

“Pashë se si ata u përballën me bankat e mëdha, mbështetën njerëzit e punës dhe mbrojtën gratë dhe fëmijët nga abuzimet. Isha krenar për ta dhe jam krenar sot ta kem partnere në këtë fushatë”, shkruante ai.

Në Twitter, senatorja Harris tha se “ishte e nderuar” të ishte në krah të zotit Biden “dhe të bënte maksimumin që ai të bëhej Komandanti i Përgjithshëm”.

Analistët thonë se zonja Harris do ta ndihmonte zotin Biden për të siguruar votat e afrikano-amerikanëve.

“Joe Biden është ndoshta pak mbrapa, në krahasim me mbështetjen që kishte Hillary Clinton në këtë periudhë të vitit 2016 mes të rinjve afrikano-amerikanë, sidomos atyre meshkuj. Prandaj ajo mund të fokusohet tek ky komunitet në përpjekje për ta rritur mbështetjen e tyre, në nivelet që demokratët e kishin në 2016-ën”, thotë Robert Griffin, i Grupit të Studimit të Votuesve në Fondin për Demokracinë.

Presidenti Donald Trump, reagoi shumë shpejt me një video të faqes së tij të fushatës, të cilën e publikoi në llogarinë e tij në Twitter, ku thuhet se zonja Harris kandidoi për postin e presidentit (në garën brenda Partisë Demokrate) duke përqafuar të majtën radikale dhe se amerikanët e hodhën poshtë kandidaturën e saj.

Joe Biden “po ia jep frenat në dorë Kamalës, ndërsa të dy ata përqafojnë të majtën radikale”, thuhet në video.

“Joe i ngadaltë dhe Kamala hipokrite: të përkryer së bashku, të gabuar për Amerikën”, përfundon videoja.

“Ajo ishte ndoshta edhe më e egër se Elizabeth Warren ndaj Joe Biden-it. U soll shumë pa respekt ndaj tij. Dhe është e vështirë të zgjedhësh dikë që është kaq ofendues”, tha Presidenti Donald Trump në një konferencë për shtyp.

Senatorja Kamala Harris, ishte konsideruar si kandidatura kryesore për këtë post, megjithëse zoti Biden e kishte shtyrë njoftimin mes spekullimeve për kundërshtimin brenda kampit të tij ndaj emrit të saj.

55 vjeçarja Harris ka lindur në Oakland të Kalifornisë, dhe është bijë imigrantësh nga India dhe Xhamaika.

Ajo është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, në Fakutetin e së Drejtës dhe në vitin 2010 u zgjodh si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë.

Javët e ardhshme, fushatat Trump dhe Biden do të konkurrojnë për ta portretizuar zonjën Harris.

“Rreth një e treta e amerikanëve do të thonin që nuk kanë informacion të mjaftueshëm për të krijuar një përshtypje për Kamala Harrisin, por kjo do të ndryshojë shpejt në ditët në vazhdim, veçanërisht me afrimin e Kuvendit të Demokratëve. Dhe profili i saj do të rritet me shpejtësi”, thotë zoti Griffin.

Pritet që zoti Biden dhe senatorja Harris të shfaqen së bashku për herë të pare si partnerë të kandidaturës demokrate të mërkurën.