Dy policë plagosen gjatë protestave kundër vendimit gjyqësor për rastin e afrikano-amerikanes Breonna Taylor

Your browser doesn’t support HTML5

Dy policë u plagosën gjatë protestave të mërkurën në Luivill të Kentakit, pasi një juri e madhe arriti në përfundimin të ngrinte akuza vetëm ndaj njërit nga tre oficerët e policisë që ishin pjesë e operacionit të bastisjes më 13 mars, kur u vra afrikano-amerikania, Breonna Taylor.

Juria tha se dy oficerët e tjerë ishin të justifikuar në përdorimin e armëve, duke i liruar ata nga akuzat. Asnjëri nga oficerët, që të tre të bardhë, nuk u akuzua drejtpërdrejtë për vdekjen e zonjës Taylor.

Ky vendim shkaktoi pakënaqësi jo vetëm tek familjarët e saj por edhe tek shumë qytetarë që dolën në rugë për të protestuar.

Mijëra njerëz kundërshtuan vendimin në një protestë që filloi si paqësore por u kthye në të dhunshme të mërkurën mbrëma në Luivill të Kentakit.

Policia në vendin ku u plagosën dy policë, gjatë protestave kundër vendimit të trupit gjykues në rastin e Breonna Taylor.

Autoritetet e sigurisë njoftojnë se dy policë u plagosën gjatë përleshjeve me protestues në qendër të qytetit që ka rreth 600 mijë banorë.

Lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar.

Edhe 30 persona të tjerë u ndaluan nga policia e Luivillit e cila e cilësoi protestën si rebelim duke kërkuar shpërndarjen e menjëhershme të demonstruesve. Ndërsa kryetari i Bashkisë shpalli shtetrrethim për 72 orë.

Vetëm një nga tre oficerët e përfshirë në rastin e vdekjes së Breonna Taylor është akuzuar, por me akuza që nuk kanë lidhje me vrasjen e saj.

Brett Hankison akuzohet për shkaktim të rrezikut pa nevojë, pasi shtiu me armë zjarri në drejtim të apartamentit të fqinjëve të Breonna Taylor.

Gjykata vendosi që dy oficerët e tjerë të përfshirë në operacionin e bastisjes ishin të justifikuar në përdorimin e armëve. Detektivi Myles Cosgrove kishte qëlluar 16 herë ndërsa rreshteri John Mattingly 6 herë.

“Trupi gjykues është pajtuar që Mattingly dhe Cosgrove të konsiderohen të justifikuar në kthimin e zjarrit vdekjeprurës pasi Kenneth Walker kishte hapur zjarr ndaj tyre ”, tha Prokurori i Përgjithshëm në Kentaki, Daniel Cameron.

Kenneth Walker, i dashuri i Breonna Taylor, kishte shtënë në drejtim të policisë me një armë që e kishte me leje, pasi siç thotë ai, nuk i kishte dëgjuar policët që të paralajmëronin për praninë e tyre.

Oficerët kishin autorizim për bastisje pa trokitur, por prokurori i përgjithshëm Cameron thotë se banorët në ndërtesë kishin dëgjuar policët të njoftojnë përpara hyrjes në apartamentin e Taylor.

Zoti Cameron shtoi se i dashuri i Breonna Taylor qëlloi i pari, duke goditur oficerin Mattingly në këmbë. Mattingly dhe Cosgrove kthyen zjarrin, ku testet balistike tregojnë se një nga të shtënat e Cosgrove vrau 26 vjeçaren Taylor, një teknike mjekësore.

Avokati i familjes Taylor e quajti vendimin ofendues.

Ky rast shkaktoi protesta edhe në vende tjera si Filadelfia, Çikago, Boston, Nju Jork dhe Uashington DC.